E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni Europian: “Kriza politike mban pezull procesin e anëtarësimit në BE”



Eljona Ballhysa
Bashkimi Europian ka ndërprerë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë për shkak të mungesës së një marrëveshjeje konsensuale për zgjidhjen e krizës politike në vend. Lajmin e ka bërë të ditur dje zëdhënësi i Komisionit Europian, Patricio Fiorilli, i cili foli për televizionin “Alsat” në emër të kabinetit të komisionerit për Zgjerimin, Shtefan Fyle. Sipas zëdhënësit i KE-së, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE vazhdon të mbetet i ndërprerë për shkak të moszgjidhjes së krizës politike në vend. Ai tha se fati i statusit të vendit kandidat në BE do të përcaktohet vetëm në rast se arrihet një marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Sipas Fiorillit, mungesa e një marrëveshjeje konsensuale mban larg integrimin e Shqipërisë në BE.
Deklarata
“Për ne ky është një lajm i keq sepse, siç e dini, procesi i aderimit në Bashkimin Europian është ndërprerë për mungesë të marrëveshjes për zgjidhjen e krizës politike. Sigurisht që do të ketë përpjekje të tjera, por ky rast nuk u shfrytëzua në mënyrë që në Parlament të punohet së bashku. Kështu që procesi i integrimit mbetet i ndërprerë”, - është shprehur përfaqësuesi i Komisionit Europian. Ai ka shprehur bindjen se politika shqiptare do të vazhdojë të përpiqet në të ardhmen për t’i dhënë zgjidhje krizës në vend. Por Fiorilli e cilësoi një hap të dështuar mosarritjen e marrëveshjes mes dy forcave kryesore politike në vend gjatë dy seancave të fundit parlamentare të zhvilluara ditët e fundit të vitit që lamë pas. “Do të ketë, besoj, raste të tjera në të ardhmen, por pa hyrë në detajet e politikës së brendshme shqiptare, sepse Komisioni Europian nuk ndërhyn asnjëherë në politikën e brendshme. Duhet të jemi të përgjegjshëm për këtë dështim. Mungesa e marrëveshjes vonon integrimin. Ky është një rast i humbur”, - tha Fiorilli.
Opinioni
Në opinionin e tij për Shqipërisë, Komisioni Europian rrëzoi kërkesën për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Kushti parësor i Brukselit ishte zgjidhja e ngërçit politik vendas për të vijuar me procesin e integrimit Shqipëri-BE. Por KE-ja, nëpërmjet raport-opinionit, i la klasës politike shqiptare jo pak, por 12 rekomandime për të realizuar, për të vazhduar procesin e integrim europian. Rekomandimi kryesor është plotësimi i kriterit politik që lidhet me funksionimin e institucioneve të pavarura, me forcimin e ligjit dhe të demokracisë në vend. “Të plotësojë funksionimin normal të Parlamentit në bazën e dialogut politik konstruktiv që përfshin të gjitha partitë politike. Të miratojë ligjet që vazhdojnë të qëndrojnë të pamiratuara, si dhe të përforcojë maxhorancën në Parlament. Të emërojë Avokatin e Popullit dhe të sigurojë një proces të rregullt dëgjimi dhe votimi në Parlament për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Të modifikojë kornizën ligjore për zgjedhjet në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Të sigurojë mbajtjen e zgjedhjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare. Të ndërmarrë hapa konkretë në përmbushjen e reformës në administratën publike, duke përfshirë miratimin e amendimeve në ligjin për Shërbimin Civil, si dhe të forcojë shërbimin civil duke u bazuar në profesionalizimin dhe në depolitizimin e administratës. Të forcojë zbatimin e ligjit dhe të ndërmarrë reforma në Drejtësi, duke siguruar pavarësinë dhe eficiencën e institucioneve të Drejtësisë. Të zbatojë në mënyrë efektive strategjinë e qeverisë për antikorrupsionin, të hiqen pengesat e investigimit, në veçanti pengesat që lidhen me hetimin e gjyqtarëve, ministrave dhe deputetëve”, - shkruhet në raport. Po kështu kërkohet forcimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe miratimi i një strategjie kombëtare për të drejtat e pronësisë, që duhet të parashikojë kthimin dhe kompensimin e pronës. “Të merren hapa konkretë në drejtim të forcimit dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, veçanërisht ato të grave dhe fëmijëve të komunitetit rom. Të merren masa për përmirësimin e trajtimit të të ndaluarve në komisariate apo në dhomat e paraburgimit. Të përforcohet bashkëpunimi rajonal, të forcohen kapacitetet administrative të ruajtjes së kufijve, të rritet bashkëpunimi me shoqërinë civile, të forcohet liria dhe pavarësia e medias”, - përfundojnë rekomandimet e KE-së.

Më 17 janar do të nisë sesioni i ri parlamentar

Sesioni i ri parlamentar për vitin 2011 do të nisë më 17 janar. Pritet që ky sesion parlamentar të jetë i vështirë, veçanërisht sa i përket paketës së ligjeve të mbartura, të cilat do të vijojnë të jenë të tilla për sa kohë opozita nuk jep votat e saj. Ndër to janë reforma zgjedhore, ligje të reformës në Drejtësi, Gjykata Administrative dhe një sërë ndryshimesh në ligje organike, kode të Republikës së Shqipërisë, si dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit. Këto ligje janë dhe bërthama e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian për Shqipërinë, klasa politike e së cilës ka në dorë statusin e vendit kandidat e hapjen në nëntorin e ardhshëm të negociatave për anëtarësim në BE, shans që Shqipëria do ta kapë pasi ngërçi politik të ketë marrë fund.

Vendimi
Gazeta sllovene “Dello”: “Gjermania mund të rivendosë vizat për Ballkanin”

Gjermania mund të rivendosë regjimin e vizave për vendet e Ballkanit për shkak të fluksit të kërkesave për azil që ka pasur nga shtetas serbë dhe maqedonas. Lajmin e bën të ditur e përditshmja sllovene “Dello”, sipas së cilës, qeveria gjermane druhet se heqja e vizave edhe për Shqipërinë e Bosnjën mund ta rritë këtë fluks. Sipas së përditshmes sllovene, vetëm gjatë vitit 2010 numri i azilkërkuesve, veçanërisht nga Serbia dhe Maqedonia, ka qenë i lartë. Kjo gjë i ka trembur autoritetet gjermane, të cilët mendojnë se numri i azilkërkuesve do të rritet më tej gjatë vitit 2011 duke pasur parasysh procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë dhe ata boshnjakë. “Në 11 muajt e parë të vitit 2010, në Gjermani kanë kërkuar azil 4218 shtetas të Serbisë dhe 2319 shtetas të Maqedonisë”, - shkruan gazeta, duke iu referuar një raporti gjerman. Sipas këtij burimi, shumica e azilkërkuesve nuk i plotësojnë kërkesat për marrjen e azilit, që janë kryesisht përndjekja politike, fetare apo etnike. Sipas gazetës, ka qenë ministri i Brendshëm i Bavarisë ai që ka bërë një deklaratë për rivendosjen e regjimit të vizave për të gjithë shtetasit e vendeve të Ballkanit për të prerë mundësitë e shkeljes së rregullave të udhëtimit që parashikon procesi i liberalizimit të vizave. “Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joakim Herman, duke përmendur këta shembuj të keqpërdorimit të kërkesës për azil, ka kërcënuar me rivendosjen e vizave”, - shkruan gazeta.

5 Janar 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›