E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ nis sot numërimin e ri për Tiranën – procesi s’pritet të sjellë surpriza në rezultat

16-06-2011 / Gazeta 55

Me zbardhjen e vendimit nga ana e Kolegjit Zgjedhor të Apelit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do nisë sot numërimin e votave për bashkinë e Tiranës. Kryetari i KQZ-së Arben Ristani u shpreh dje se “do nisim nga puna menjëherë pasi të njihemi me vendimin e Kolegjit”. Ristani tha se procesi do finalizohet brenda një jave dhe për këtë do vihen në punë disa grupe numërimi. Duke iu referuar vendimit të 3 ditëve më parë, kreu i KQZ theksoi edhe njëherë se “Kolegjit Zgjedhor të Apelit i dha të drejtë KQZ-së për numërimin e çdo vote të qytetarëve”. Kjo sipas Ristanit konfirmon veprimin e drejtë të KQZ për numërimin e votave të rregullta të qytetarëve shqiptare ndonëse nuk u hodhën në kutinë respektive. Pritet që sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të rinisë numërimin e votave në kutitë e kontestuara. Dy javë më parë KQZ finalizoi me sukses numërimin e 117 kutive, nga të cilat kandidati demokrat Lulzim Basha u shpall fitues i bashkisë së Tiranës me 81 vota më shumë.
Kolegji rrëzon ankimin e Partisë së Pensionistëve/Kolegji zgjedhor pushon çështjen e ankimuar nga partia e Pensionistëve, për pavlefshmërinë e vendimit të zgjedhjeve për Tiranën dhe ri-përsëritjen e tyre. Ka qenë vetë kjo parti që ka kërkuar pushim të çështjes pas refuzimit të Kolegjit zgjedhor për të bashkuar shqyrtimin e çështjes së tyre me atë të Partisë Socialiste. Sipas përfaqësuesit ligjor të kësaj partie, kjo forcë politike pretendon pa vlefshmëri të vendimit 711 të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për rezultatin përfundimtar të Tiranës, pra objekti i kërkesë padisë është i njëjtë me atë të socialistëve, ndaj çështjet duhet të ishin bashkuar. Po ashtu Partia e Pensionistëve kërkoi pushimin e çështjes nisur edhe nga refuzimi i Kolegjit zgjedhor për të ndërruar trupën gjykuese që do ta shqyrtonte atë. Partia e pensionistëve pretendonte se kjo trupë gjykuese ishte shprehur një herë për këtë çështje, kur mori vendim për kërkesë padinë e PS-së, prandaj gjykata e apelit duhet t’i drejtohej KLD-së për të ndryshuar gjyqtarët, kërkesë që Kolegji e rrëzoi. Gjatë seancës së djeshme, e cila nisi në orën 10:00, Partia e Pensionistëve kërkoi edhe përjashtimin e dy avokatëve të Partisë Demokratike, me pretendimin se ata janë të punësuar në Kryeministri e si të tillë nuk mund të jenë përfaqësues me prokurë. Por, Kolegji e ka rrëzuar një pretendim të tillë. Partia e pensionistëve kërkoi përsëritje të zgjedhjeve në Tiranë për shkak të mos akordimit të shifrave të numrit të votuesve me votat e hedhura në garën për kryeqytetin.
Përfaqësuesi i PD, Njazi Kosovrasti: Vendimi i Kolegjit, i pakthyeshëm/Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Njazi Kosovrasti, është shprehur se vendimi i Kolegjit Zgjedhor ishte i drejtë dhe se ky proces ka vendosur që të lexojë të gjitha votat e qytetarëve. “Kolegji tha se kjo punë duhet të shtrihet më tej dhe të kërkohen të tjera fletë votimi të hedhura në kutinë e gabuar. Kolegji, pas ankimit të Partisë Socialiste, në datën 3 qershor tha se kjo punë është e mbyllur. Rrëzoi ankimin e Partisë Socialsite dhe la në fuqi vendimin e KQZ. Vendimi i fundit i Kolegjit legjitimon vendimin e KQZ-së, për numërimin e fletëve të votimit dhe ky vendim thotë që ky proces të shtrihet më tej, të kërkohen fletët e hedhura në kutitë e gabuara. Kolegjit tha të vazhdohet më tej. Pra, transparenca mirë është bërë deri tani, por le të vazhdohet edhe më tej”- u shpreh Kosovrasti. Ai vuri në dukje se asnjë institucion tjetër nuk mund ta hedhë poshtë vendimin e Kolegjit Zgjedhor, pasi vendimi i tij është i pakthyeshëm.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›