Kukan: Rama të mbajë fjalën dhe të respektojë vendimi i institucioneve

“Duhet të respektohet vendimi i institucionit që është kompetent për të gjykuar çështjen e zgjedhjeve dhe apeli është se të gjithë duhet ta bëjnë këtë gjë”. Kështu është shprehur kryetari i delegacionit për Europën Juglindore në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan, lidhur me situatën më të fundit politike në Shqipëri. Sipas tij, procesi zgjedhor nuk ka mbaruar dhe po vazhdon ende numërimi i votave e do të jetë e rëndësishme, që kur ai të mbarojë, situata politike në Shqipëri të qetësohet. Ai i kërkoi opozitës dhe liderit të saj Edi Rama, të mbajë premtimin që i ka dhënë Brukselit se do respektojë vendimet e pakthyeshme të gjykatave. Kukan flet më tej edhe për liberalizimin e vizave dhe punën e mirë të institucioneve shqiptare. Ai përshëndet qytetarët qytetarë për maturinë e treguar në respektimin e përpiktë të rregullave të lëvizjes së lirë në “Schengen”. Në fund, Kukan vuri në dukje faktin se është dialogu politik dhe vullneti politik që do të bëjë të mundur ecjen e vendit përpara në integrimin europian.
Z. Kukan, nuk ka një deklaratë të përbashkët për takimin e tretë parlamentar të Asociim-Stabilizimit BE-Shqipëri. Si ta marrim këtë? Si shenjë të mirë?
Është një shenjë e mirë në fakt, pasi jeta është relative. Dy takimet tona të fundit ne nuk kemi qenë në gjendje që të aprovojmë një deklaratë të përbashkët dhe duke parë në mënyrë realiste situatën politike në Shqipëri, unë nuk do t’i kisha fiksuar vetes ambicien për të arritur një deklaratë të përbashkët tani. Ne kemi rënë dakord me kryetarin e grupit parlamentar shqiptar, se nuk do të përfshinim këtë pikë në agjendë, sepse në sipas eksperiencës së kaluar, të gjitha reagimet e panevojshme dhe të ndezura kanë qenë pikërisht rreth deklaratës së përbashkët. Ne nuk e fshehim realitetin dhe mendoj, se hapi që ndërmorëm, ndihmoi që ta mbanim përqendrimin e duhur mbi çështjet e agjendës.
Takimi është zhvilluar në dy boshte kryesore, situata post-zgjedhore dhe 12 rekomandimet e Komisionit Europian. Lidhur me situatën post-zgjedhore dhe konkretisht zgjedhjet në Tiranë, a ka Brukseli një qëndrim unison lidhur me respektimin e vendimeve të instancave gjyqësore në Shqipëri për zgjedhjet?
Po, kjo u tha qartë në deklaratën e komisionerin Füle. Duhet të respektohet vendimi i institucionit që është kompetent për të gjykuar çështjen e zgjedhjeve dhe apeli është që të gjithë duhet të bëjnë këtë gjë. Mendoj, se komisioneri Füle bëri një deklaratë shumë të ndershme dhe objektive dhe e di që ju jeni njohur me të. Komisioneri Füle përmendi gjëra pozitive për Shqipërinë. Është e rëndësishme që të dëgjojmë më shumë të tilla për Shqipërinë, por fatkeqësisht ky nuk është rasti aktualisht. Procesi zgjedhor nuk ka mbaruar. Po vazhdon ende numërimi i votave dhe do të jetë e rëndësishme, që kur procesi të mbarojë, situata politike në Shqipëri të qetësohet. Unë po e shpresoj vërtet këtë sepse i kam parë deklaratat e zotit Rama dhe do të citoj vetëm njërën. Ai ka thënë, se do të vazhdojë betejën ligjore. Nëse ai vazhdon betejën ligjore, kjo është Ok. Pra, ankesa para institucioneve përkatëse është shumë e drejtë, por kur ai thotë këtë, ai duhet gjithashtu të pranojë vendimet e këtyre institucioneve ligjore.
Ju sapo thatë, që nuk ka vetëm gjëra negative për Shqipërinë, ka progres në ekonomi, krim të organizuar, fusha të tjera. Pra, a është vërtet problemi i vërtet i Shqipërisë mungesa e dialogut politik dhe mosfunksionimi i parlamentit?
Po, është sërish i njëjti problem. Vendi juaj është duke bërë punë të mirë sidomos për liberalizimin e vizave. Nuk ka ankesa që qytetarët shqiptarë po abuzojnë me sistemin siç është rasti i vendeve të tjera në rajon. Pra, ju mund të bëni gjëra kur doni. Por mungesa e dialogut politik, në këtë aspekt asgjë nuk ka ndryshuar. Takimi ishte i frytshëm, pozitiv, të gjithë kanë reaguar në mënyrë të civilizuar, por nuk na ka sjellë asgjë të re nga ajo që dimë deri tani, pasi qëndrimet e të dyja palëve janë krejtësisht të ndryshme. Ndaj, në këtë kuptim, keni të drejtë me pyetjen tuaj. Është dialogu politik dhe vullneti politik që do të bëjë të mundur ecjen e vendit përpara në integrimin Europian mungojnë. Ne gjithmonë themi, që këtë mungesë dialogu e vuajnë qytetarët e Shqipërisë, ndaj politikanët shqiptarë duhet të venë interesin e qytetarëve si kryeprioritet. Deri tani, nuk ka progres për dialogun politik, pasi qëndrimet janë të kundërta.