E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ nis zbatimin e vendimit të Kolegjit – numëron votat e hedhura në kutitë e gabuara

19-06-2011 / Gazeta 55

Lulzim Basha ruan avantazhin ndaj Edi Ramës në përfundim të rinumërimit të kutive të njësisë numër 1, por tendenca konfirmon mandatin e tij, duke përmirësuar edhe mospërputhjet në tabelat e rezultateve, edhe për 10 njësitë e tjera bashkiake

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi pasditen e djeshme, rivlerësimin për votat e konstestuara për 368 qendra votimi në kryeqytet dhe konkretisht me hapjen e kutive të KZAZ-së nr. 45, për të vijuar më pas me kutitë e KZAZ-ve të tjera sipas rendit rritës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur dje pasdite numërimin e votave të kontestuara në 368 kuti votimi. Rezultatet paraprake nxjerrin kandidatin demokrat Lulzim Basha me mbi 85 vota para atij socialist, Edi Rama.
Komisioni vendosi gjatë paradites ngritjen e 8 grupeve pune, nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të forcave politike për rinumërimin e fletëve të votimit për 1793 kuti nga 1940. Palët ranë dakord për procedurat që do të ndjekë KQZ në procesin e vlerësimit të votave të kontestuara, në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor të 13 qershorit.
Në këtë mbledhje, përfaqësuesi i PD-së Njazi Kosovrasti deklaroi se Kolegji e cilësoi të mirë punën e KQZ-së, për votat e hedhura në kutitë gabim. Përfaqësuesi demokrat tha se numërimi i votave të kontestuara duhet të bëhet nga grupet e numërimit të përbëra nga administrata e KQZ si dhe në prani të vëzhguesve të PD dhe PS.
Ndërkaq, jo në të njëjtën linjë qëndroi përfaqësuesi i PS-së Genc Gjoncaj, i cili deklaroi se pret që Kolegji të mos prodhojë procedura të ndryshme, ndërsa shprehu mjaft pikëpyetje se sa grupe numërimi do të ngrihen, dhe kërkoi që ky institucion të mos krijojë grupe numërimi, por të numërohen nga 7 anëtarët e institucionit.
“Ne nuk kemi besim te KQZ, jo më të kemi besim t’i hapë dhe t’i numërojë votat administrata e KQZ”, tha përfaqësuesi socialist.
Nga ana e tij, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, vuri në dukje se për çdo kuti, në të cilën do të numërohen materialet zgjedhore, do të ketë vëzhgues partiakë. Sipas Ristanit janë rreth 1800 kuti që do hapen, numërimi i të cilave nuk mund të bëhen vetëm nga 7 anëtarët prandaj është parashikuar ngritja e 8 grupeve të numërimit.
“Do të jenë grupet e numërimit që do hapin kutitë do nxjerrin fletët dhe do bëjnë tabulimin në tabelat përkatëse. Sa i përket saktësimit të veprimeve në tabelat përkatëse do të jenë vëzhguesit e partive dhe anëtarët e KQZ që do të bëjnë verifikimin”, u shpreh Ristani.
Nga ana tjetër, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, kundërshtoi ngritjen e grupeve të numërimit.
Sipas saj, hapja e kutive duhet të bëhet në sy të anëtarëve të KQZ.
“Në këtë mënyrë i takon që të tjerët të jenë vëzhguesit e fletëve të votimit, ndërsa ne të bëjmë miratimin e atyre që ne nuk kemi parë me sy”, deklaroi Subashi.
Duke shtuar se, “fleta e votimit të mos vlerësohen nga administrata, por nga anëtarët e KQZ. Fletët duhet të vijnë në tavolinën tonë të vlerësohen. Jemi në një proces ankimor, dhe jemi ne ata që, do bëjmë vlerësimin e fletëve. Kjo nuk ha kohë aq të gjatë sa thuhet”, theksoi nënkryetarja e KQZ-së, Subashi.
Megjithatë, KQZ arriti unifikimin e qëndrimeve mes palëve, për të miratuar formulën e numërimit të votave të kontestuara.
Sipas këtij vendimi, KQZ do të numërojë dhe rivlerësojë votat që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës Qendër Votimi në kutitë për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe Këshillin e Njësisë Bashkiake.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›