Parashikimet, ekonomia shqiptare do rritet me 6.4%
Banka e Detit të Zi sheh një ecuri pozitive të ekonomisë shqiptare në terma afatmesme, duke parashikuar se në katër vitet e ardhshme mesatarja e rritjes ekonomike do të jetë rreth 6.4 për qind. Në strategjinë e saj lidhur me zhvillimin e Shqipërisë, Banka bën parashikimet për një sërë sektorësh duke filluar nga bujqësia, tek industria apo shërbimet për të cilat ka bërë edhe vlerësimet e saj.
Banka e Detit të Zi parashikon që në periudhën 2011-2014 të bëjë financime të rëndësishme të disa sektorëve në vendin tonë dhe, sikurse përshkruhet në strategji, këto financime do të ecin në të njëjtën linjë me prioritetet që ka vendosur qeveria. Në përgjithësi, kjo bankë e sheh Shqipërinë si një vend në stabilitet ekonomik dhe pavarësisht treguesve të tillë, si borxhi i lartë publik apo deficiti i llogarisë korrente, nuk vlerësohet niveli, por tendenca e këtyre treguesve që, sipas Bankës, është në ulje.
Ruajtja në nivele të kontrollueshme e treguesve makro-fiskalë konsiderohet si njëra anë e medaljes, ndërkohë që tjetra, sipas kësaj Banke, është ndjeka e politikave fiskale të mirë menduara dhe të mirë kontrolluara, të cilat do të sigurojnë rritje dinamike deri në periudhën afatmesme.