E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, në kërkim të një zgjidhjeje për t’i ikur turpit të humbjes

29-06-2011 / Gazeta 55

Që nga “anullimi i lojës” e deri tek “turi gju më gju me bazën”, Edi Rama është në kërkim të kohës, që të shmangë protestat e pritshme para selisë së partisë nga nanoistët, ish-mbështetësit e LMN-së si dhe grupet e interesit që mbështetën kandidimin e tij të katërt. Derisa të gjendet formula që do të shmangë llogaridhënien, nëpër ekrane do dalin “ekspertët” që do pranojnë të bëhen qesharakë për hir të kryetarit Rama


Tollovia e kërkesave edviniste, herë për shpalljen e fitores nëpër televizione, herë për marrjen e mandatit në Kolegjin Zgjedhor, herë për rinumërim të plotë në të gjithë kryeqytetin e tash së fundi për anulimin e të gjithë zgjedhjeve e nisjen e procesit nga fillimi, tregon hutinë që ka sjellë humbja katastrofike më 8 maj. Edi Rama po kërkon me çdo kusht të fitojë kohë, për t’i ikur turpit të humbjes, prandaj edhe shpiku fillimisht turin e konsultimeve me bazën e partisë, pastaj shpalli se e ka shtyrë pa afat mbajtjen e Asamblesë që do të vendoste për “revolucionin antiBerishë” e tash së fundi ka nxjerrë disa kasnecë nëpër media për të theksuar se sido që të vijnë punët, ai s’do të dalë kundër institucioneve. E gjithë paqartësia vjen për shkak të ngushticës politike në të cilën po endet Edi Rama, një situatë që i kërkon si kurban politik karrierën e tij, prandaj edhe në skenë janë thirrur piruetat, derisa të gjendet një zgjidhje për t’i ikur turpit të humbjes katastrofike. Nëse sanksionimi i rezultatit ndodh shpejt, Edi Rama nuk është në gjendje që ta orientojë debatin politik tek ajo që ai e quan “vjedhja e mandatit”, por do t’i duhet të përballet me një situatë llogaridhënieje brenda partisë, apo edhe tek grupet e interesit që patën sponsorizuar kandidaturën e tij për në krye të bashkisë. Motivi i protestave nëpër rrugë do të venitej dhe do të fitonin kuptim protestat e nanoistëve, ish-lmn-istëve dhe grupeve të tjera politike para selisë së PS-së, duke kërkuar si kurban lidershipin e partisë, si përgjegjësi kryesor për katastrofën zgjedhore, thërrmimin e së majtës dhe etiketimin e saj si përgjegjëse për bllokimin e reformave. Përballë këtyre perspektivave, e vetmja gjë që po kërkon Edi Rama është koha, koha derisa të zgjedhë një mënyrë si t’i ikë turpit të humbjes, por pa dhënë llogari për të. Grishja ngjan se s’ka zgjidhje matematike, megjithatë, politika s’është shkencë dhe Edvini ka të drejtë të provojë irracionalitetin e vet. Megjithatë, ai ka nevojë për kohë, dhe deri atëhere, skena e politikës së madhe u lihet violinave të dyta, atyre që mund të turpërohen me pseudo-kërkesa në KQZ e në Kolegjin Zgjedhor, pa e patur problem për koston politike. Për ta është e mjaftueshme që t’i tregojnë kryetarit se janë të gatshëm të tregohen edhe qesharakë, mjaft që ai të fitojë kohën e duhur, derisa të gjejë ‘deus ex machina”-n që do ta nxjerrë pa lagur nga katastrofa e 8 majit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›