E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekalog për të zbuluar të vërtetën (që është një gënjeshtër e organizuar mirë)

29-06-2011 / Nga Marcello Veneziani*

Një doracak i vogël për t’u orientuar në realitet, gjithmonë e interpretueshme, dhe për të kuptuar se mes nesh dhe fakteve ekziston një perde e cila nuk mund të griset

E vërteta ekziston, por askush nuk e ka monopolin. A mund të kundërshtohet gënjeshtra dhe pastaj të thuhet se e vërteta nuk ekziston, vetëm interpretimet? Dhe që e vërteta sjell dhunë që vret lirinë? Nuk është e vërteta ajo që vret lirinë, por ai që flet e vendos në emër të saj, ai që i atribuon vetes eksluzivitetin. E vërteta ekziston dhe është e pafajshme. Rebelimi kundër së vërtetës mund të jetë heroik ose tragjik, mund të gjenerojë ëndrra, jerm dhe vepra arti,  por realiteti pa të vërtetën degradon.
E vërteta është e korruptuar nga surrogatet e saj. Gënjeshtra është fyese, e pacipë. Ajo e vret të vërtetën, por nuk e korrupton. Atë e korruptojnë gjysmat ose të vërtetat e dyfishta, të vërtetat e devijuara, marifetet e saj: norma, kanuni ideologjik i imponuar nga fuqia, nga tregu, nga sekti ose nga kasta. E vërteta në këto raste, është vetëm një gënjeshtër e mirë organizuar, fuqishme dhe e kodifikuar. Sipas filozofit italian Andrea Emo “Gënjeshtra vjen nga mendja ose e kundërta, gënjeshtra është tendenca e mendjes”.
Hipokrizia nuk është e kundërta e të së vërtetës, por rregulli i saj i sjelljes. Hipokrizia nuk është si gënjeshtra, është një vel i artë në jetën civile, vepron si një cipë e virgjërisë së të vërtetës, sepse e mbron, parandalon shkatërrimin. E vërteta lidhet me gjendjen e gjërave, hipokrizia lidhet me marrëdhëniet delikate. Kush i deklaron luftë hipokrizisë, më pas e deklaron të vdekur të vërtetën. E copëton velin për asgjë.
E vërteta nuk është revolucionare, as reaksionare. Një moto e politikani-filozof, A. Gramshi “E vërteta është revolucionare” në praktikë përkthehet kështu: e vërteta është subjekt i revolucionit, i nënshtrohet partisë, e vërtetë është ajo që duhet të jetë, fallto ajo që asaj i dhemb. Kështu lind “Pravda” (“E Vërteta”, organi i Partisë Komuniste BS), e vërteta në shërbim të gënjeshtrës dhe e vërteta vdes. E vërteta shuhet edhe nëse urdhërohet për hir të vendit, për t mbrojtur njerëzit apo për të mos përmbysur status quo-nё.
E vërteta përshtatet me realitetin nëpërmjet inteligjencës. Sipas Shën Tomës, e vërteta është adaequatio rei et intellectus, është përputhja midis intelektit dhe realitetit. Sipas filozofit Vico, e vërteta dhe fakti converturtur, i vërtetë përputhet nëpërmjet inteligjencës. Të vërtetës nuk i mjafton vetëm dëshmia e jetës apo vetëm koherenca e mendimit, por e vërteta është vetëm bashkimi i tyre martesor. Rrallë e vërteta rritet spontane dhe e menjëhershme. Më shpesh ajo kultivohet dhe rafinohet.
E vërteta është shkëlqim hyjnor, por të verbon. Veritatis Splendor thoshte Gjon Pali II. Drita e së vërtetës të verbon dhe ndonjëherë duhet të mbulohet. “Pia fraus” e të krishterëve dhe gënjeshtrat e nevojshme platonike, e mira e gënjeshtrës Campanella (filozof i rilindjes) dhe disimimulimi i sinqertë i Torquatto Accetto, vello apollonike e Nice-s, janë truke për të mos u djegur ose verbuar nga e vërteta.
E vërteta është më e përshtatshme për humbësit se sa për fituesit. Për Simone Weil, e vërteta është “arratisja e përjetshme nga kampi i fitimtarëve”. Lakmia e fituesit, retorika e triumfit, apoteoza e forcës i përshtaten pak të së vërtetës. Melankolia e humbjes është e pajtueshme, sepse ai që humb në tokë kërkon strehim në qiell, është i çarmatosur, ngushëllohet me të vërtetën, shtiret më pak.
E vërteta është një mendim i fuqishëm në një trup të brishtë. Nuk është e vërtetë që në fund e vërteta triumfon. Shpesh e vërteta është e pafuqishme, zëri i saj është i mekur. Ajo nuk disponon fuqi të mëdha, përkundrazi e vetmuar i kundërshton ato. Ndryshe nga epoka jonë e dominuar nga mendimi i dobët dhe nga fuqitë e mëdha, e vërteta është e fuqishme në mendime, por ka mangësi në forcë. Ndonjëherë e qartë, ndonjëherë sekrete, ndonjëherë e vërteta është tek provat.
E vërteta ishte në fillim dhe do të jetë edhe në fund, por jo gjatë. E vërteta arrin shumë shpejt ose shumë vonë. Ajo agon në origjinë, është afshi i fillimeve, më pas eklipsohet gjatë ditës, fshihet tek jeta dhe tek kompromiset e saj. Pastaj ri shfaqet në muzg, kur dita është e lodhur, jemi të lodhur nga shtirjet e jetës dhe jemi të uritur për të vërtetën. Ajo vjen kur bie nata. Në jetë, shpesh e vërteta është një kujtim dhe një shenjë.
E vërteta nuk posedohet, ajo duhet. Askush nuk e posedon të vërtetën, më shumë e prek, ajo hyn në plagë, ose paraqitet shkurt. Në hipotezën më të mirë, e vërteta na posedon, por ne nuk e posedojmë atë. Më e shumta që ne mund të aspirojmë është se e dashurojmë të vërtetën, ushqejmë pasion për të deri në atë pikë sa e preferojmë mbi çdo gjë tjetër. Liria është mjeti, e vërteta është fundi.
Në një memorial “aut/aut” midis Krishtit dhe së vërtetës, Dostojevski zgjodhi Krishtin. Ne zgjedhim të vërtetën, madje dhe në pasiguri. Krishti do të jetë me të dhe do të na e falë.

*Filozof, Publicist, analist i gazetës italiane “Il Giornale” 
Përgatiti: Lavdrim Lita

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›