Shenjat e së ardhmes dhe Geert Wildersi
Shfajësimi i Geert Wilders-it nga gjykata holandeze vendos mbi tryezë një turrë të shprishur argumentesh politike, juridike e morale. Që Wildersi është islamofob, kjo nuk përbën risi. Filmi i tij “Fitna” është një vepër e mirëfilltë manipulative: hapet me një Kuran që i bashkëngjiten karikaturat e danezit Kurt Westergaard kundrejt profetit Muhamed, vijon me Suren 8 të Ajetit 60 (“Përgatisni ndaj tyre kuaj e forcë për luftë sa të mundni, për të mbjellë frikë në zemrat e armiqve të Allahut”) dhe më pas shfaqen pamje nga avionët që sulmuan Kullat Binjake në Nju Jork, shpërthimi i tyre, si dhe britmat e të tmerruarve nga shpërthimet e ndodhura në stacionin hekurudhor të Atochas (Madrid). Pjesa tjetër e këtij filmi është përmbledhje deklarimesh të disa drejtuesve fetarë, që në emër të Islamit, nxisin dhunën e skajshme. Mesazhi që ofron Vildersi është i shkoqur: Islami është një ideologji fetare e dhunshme dhe e rrezikshme që nxit sundimin e terrorit. Strategjia e tij nuk është empirike: nëse do të kishte qenë e tillë, së pari, do të kishte qenë e vështirë përputhshmëria e saj me faktet e realitetin, ngaqë qindra milionë myslimanë në tërë botën jetojnë paqësisht me fenë e tyre; së dyti, që Al Kaeda ka shkaktuar më shumë vrasje në radhët e myslimanëve sesa të kristianëve; së treti, që myslimanët holandezë, siç parashihet të ndodhë kur sheh “Fitna”-n, nuk kanë organizuar në masë “beteja urbane” apo të kenë shkaktuar tollovi e tmerr. Panorama në Holandë shpërfaqet krejt në të kundërt, ku dëshmohet se gjendet vetëm një pakicë radikale në gjirin e një shumice myslimane që e jeton fenë e saj në mënyrë të paqtë, sigurisht, në kufijtë e një kulture fetare që me raste gjeneron edhe mosmarrëveshje e probleme të bashkëjetesës. Strategjia që ka ndjekur Wildersi nuk përkon as edhe me “Dhjatën e Vjetër”, prej nga zë fill plagjatura e deklaratave të tij, që në emër të Zotit, të përligjë të gjitha llojet e mizorive ndaj individë e popullatave të tëra. E aq më pak mund të thuhet se synimi i Vildersit është të nxisë debat të kthjellët e të qetë, mbështetur në të dhëna racionale brenda kufijve të tolerancës, ku bashkëkohorja islame bashkëjeton në gjirin e shoqërive me parapëlqime të ndryshme kulturore e fetare (një debat i nevojshëm që si i tillë do të jepte fryte pozitive). Shihet qartë se strategjia e tij është në kërkim të yshtjes, që të përftohet dhunë “a posteriori” për t’i justifikuar deklaratat paraprake. Në fakt, siç është dëshmuar edhe nga demonstratat që i morën jetën edhe dhjetëra “të indinjuarve” që pasoi krizën e karikaturave daneze, ka jo pak ithtarë të Vildersit që ndajnë të njëjtin këndvështrim me të se Islami është mjet dhune e terrori. Vërtet që somalezi që u orvat të vriste Kurt Westergaard-in për shkak të karikaturave nuk mendoj se ka argumentuar më troç se kaq: “U indinjova mjaft kur u tha se feja ime është e dhunshme, e për këtë arsye doja ta vrisja”. Sigurisht, pa qenë në një mendje me këndvështrimin e Wildersit, është e qartë që liria e shprehjes përfshin edhe kritikën ndaj besimeve fetare: thelbi i tolerancës është pikërisht detyrimi i pranimit të diçkaje që nuk të shkon pas midesë, përfshirë këtu edhe cenimin e bindjeve vetjake. Ndonëse provokimi i pastorit amerikan Terri Xhons është sa marrëzi aq edhe i pakuptimtë kur dëshiroi të djegë Kuranin, ai rrihte gjoksin se liria e shprehjes për miliona individë në SHBA është e atillë sa gjen strehë edhe një veprim aq agresiv sa ç’mund të jetë edhe djegia e flamurit kombëtar. Për rrjedhojë, problemi nuk qëndron më shumë tek ideja se Vildersi si individ ka të drejtë të jetë kritizer i fesë islame, se sa te fakti që kritikat e tija shpallin të pandehur me një të rënë të lapsit të gjithë ata që ndjekin fenë, e në këtë rast fenë islame, duke yshtur marrjen e masave shtrënguese ndaj lirive që ata gëzojnë, e duke e përligjur këtë nismë vetëm për shkak të besimit të tyre fetar. Në këtë pikë, liria e shprehjes së Wildersit nis e mplekset me disa “linja të kuqe” të shprehje së intolerancës, ngaqë kthjelltazi, qëllimi i tij është të kriminalizojë paraprakisht (ex ante) të tërë bashkësinë dhe jo individin që bën pjesë në këtë bashkësi dhe kryen veprime të dhunshme?. Për shkak se diçka të tillë është përjetuar në kohë të shkuara në Evropë, Wildersin nuk mund ta shquajmë si një individ dosido, por si një individ që ka arritur të sigurojë 25 deputetë nga 150 të tillë që përbëhet Parlamenti i Holandës, e cila në të shkuarën ka qenë model i tolerancës dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Kemi të drejtë të shqetësohemi. Mjaft madje.