E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ numëron fletët e kontestuara

20/05/2011  Mbledhja e djeshme u zhvillua sërish nën një klimë të rënduar politike

Procesi i numërimit të fletëve të votimit ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme

Sërish nën masa të rrepta sigurie Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rifilloi mbledhjen e radhës paraditen e djeshme aty ku e kishte mbyllur një natë më parë. Edhe dje, në rendin e ditës ishte parashikuar vazhdimi i numërimit të fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara, për të cilat 7 KZAZ-të në Tiranë kanë paraqitur kontestimet e tyre dhe kërkojnë që të rinumërohen nga KQZ-ja si vota të rregullta. Jashtë godinës ku zhvillohej mbledhja ishin vendosur që në orët e para të mëngjesit të djeshëm efektiva policie, policë rendi e forca speciale, për të penguar hyrjen e deputetëve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste, që qëndronin në distancë prej tyre.

Debatet

Mbledhja e djeshme ishte fotokopje e asaj të një dite më parë. Pas fjalës së hapjes dhe prezantimit me rendin e ditës nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, fjalën e kërkoi nënkryetarja e këtij komisioni, njëkohësisht dhe përfaqësuese e PS-së, Dëshira Subashi. Duke iu referuar mbledhjes së një dite më parë, Subashi deklaroi se ndihej e fyer nga fjalori i përdorur nga kreu i KQZ-së, i cili i kishte thënë një ditë më parë që “je bërë për të dalë në pension”. Duke i konsideruar të qëllimshme këto veprime dhe provokime të Ristanit, që bëhen nën një klimë të rënduar politike në vend, Subashi theksoi se çdo vendim që po ndërmerret nga KQZ-ja për fletët e Tiranës është i jashtëligjshëm, dhe se ajo nuk do të jetë pjesë e kësaj shkeljeje të rëndë të ligjit dhe Kodit Zgjedhor. Por deklarata e Subashit ka ngjallur dhe reagimin e menjëhershëm të Ristanit. Kreu i KQZ-së, i bëri me dije se ajo që ka deklaruar ka qenë tërësisht ligjore, ku i kujtoi Subashit që i ka mbaruar mandati dhe i është kërkuar Parlamentit ta zëvendësojë atë. Pas kësaj replike mes anëtarëve, debati ndryshoi drejtim, kur përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, kërkoi që t’i vihej në dispozicion nga KQZ i gjithë dokumentacioni dhe vendimet e miratuara në mbledhjen e një dite më parë, për ndërhyrjen e bërë në kutitë e ardhura nga KZAZ-të. “Ky akt po provon pasoja në ndryshimet e tabelave të rezultateve. Para se të nisni me hapjen e kutive të tjera, duam të jemi në dijeni të vërtetojmë juridikisht çdo akt”, tha Gjonçaj. Kreu i KQZ-së, duke iu përgjigjur kërkesës së PS-së, theksoi “procesi i numërimit nuk ka mbaruar, dhe dalin ende fletë të tjera të panumëruara. Kështu listës së hapjes së kutive do t’i shtohen dhe kuti të tjera. Në përfundim të këtij procesi do ju vëmë në dispozicion gjithë dokumentacionin që ju kërkoni”. Më pas, KQZ-ja miratoi vetëm me votat e katër anëtarëve të mazhorancës numërimin e fletëve të panumëruara edhe për kuti të tjera. Të gjitha votat e shqyrtuara dhe numëruara nga mazhoranca në KQZ janë kundërshtuar me forcë nga përfaqësuesit e opozitës në këtë komision.

Numërimi, Basha 39 vota para

Ka përfunduar dhe për dje numërimi i fletëve të kontestuara në KQZ, e cila që prej dy ditësh po luan rolin e KZAZ, siç e parashikon dhe kodi kur thotë se kandidatët për Bashkinë e Tiranës, dhe lista e këshilltarëve për këtë bashki regjistrohen në KQZ. Pas numërimit të 53 kutive, nga 61, rezultati është 31 për kandidatin e “Aleanca për të ardhmen” Edi Rama, dhe 80 për kandidatin e “Aleanca për qytetarin” Lulzim Basha. Duke i shtuar dhe 10 votat e mëparshme që Rama ka marrë nga numërimi i fundit, diferenca shkon në 39 vota për kandidatin e “Aleanca për qytetarin” Lulzim Basha. Ndërkohë vihet re një vonesë në njësinë 5, e cila s’ka dorëzuar ende procesverbalin e numërimit të kutive. Partia Demokratike ka reaguar dje me anë të zëdhënëses Albana Mustafaraj, e cila ka akuzuar komisionerët socialistë për vonesa të qëllimshme në nxjerrjen e rezultatit. Sipas informacioneve, kjo njësi ka dhe 20 kuti votimi, dhe KQZ nuk mund të nxjerrë një rezultat përfundimtar pa futur në numërim dhe votat e gjetura në kutitë e tjera në këtë njësi. Deklarata e Kosovrastit

“Vlerësimi i votave është në përputhje me Kodin Zgjedhor”

Gjatë procesit të numërimit të votave për kryetar të njësive bashkiake është vërejtur fenomeni i gjetjes së votave për kryetar të Bashkisë Tiranë, të cilat aktualisht janë të panumëruara, të pavlerësuara dhe të mbetura jashtë rezultatit zgjedhor. Në lidhje me këtë fenomen, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Njazi Kosovrasti, duke iu drejtuar anëtarëve të KQZ-së në funksionin e KZAZ-së të madhe të Tiranës, theksoi: “Është i disponueshëm dokumentacioni i firmosur nga komisionerët e dy palëve, që provon se një numër votash për kryetarin e Bashkisë Tiranë janë hedhur në kutinë e gabuar”. Më tej, në emër të forcës politike që ai përfaqëson, Kosovrasti shtoi se “ne jemi krejtësisht të bindur se vota për kryetarin e Bashkisë Tiranë e hedhur në kutitë e tjera është e vlefshme, se ai është vullneti i patjetërsueshëm i zgjedhësve”. Në përfundim, Kosovrasti tha: “Hedhja e votës në një kuti tjetër, sipas Kodit Zgjedhor nuk e bën të pavlefshme votën e zgjedhësit. Marrja dhe vlerësimi i këtyre votave është totalisht në përputhje me Kodin Zgjedhor”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›