E Diel, 1 Nëntor 2026

Qiraxhiu: E vrava pronarin se më mbajti lekët e 2 muajve

20/05/2011  “Arrest me burg” për Ylvi Kodrën, qëlloi dy herë me thikë Sami Kapllanin

Kodra: Samiu do më godiste me gërshërë, m’u errën sytë dhe e qëllova

TIRANE-Ylvi Kodra, qiraxhiu që u arrestua për vrasjen e pronarit të banesës së tij, ia ka deleguar përgjegjësinë e ngjarjes viktimës Sami Kapllani, duke pohuar se ky i fundit i kishte lek borxh dhe jo ai. Para gjykatës së Tiranës, i dyshuari për vrasje ka treguar një sërë rrethanash që sollën krimin e rëndë. Ai ka treguar se në rast se nuk do e kishte goditur me thikë Sami Kapllanin, në të kundërt viktimë do të kishte mbetur vetë ai. Sipas Kodrës, rrethana kryesore që ndikoi në vrasjen e Kapllanit ishte konflikti që dy familjet kishin njëra me tjetrën. Ai ka pohuar se pronari i banesës ku ai qëndronte me qira, ankohej gjithmonë se gruaja e tij bënte shumë zhurmë, kur ajo punonte me makinë qepëse. Pavarësisht këtyre ankesave, bashkëshortja e autorit të krimit ka vijuar disa muaj të punojë. Kjo për arsye se ajo ishte e papunë dhe se për të nxjerrë të ardhura financiare, ishte vetëpunësuar duke ushtruar aktivitetin e rrobaqepëses në ambientet e shtëpisë. Mirëpo, siç duket durimi mbaroi dhe pronari i banesës Sami Kapllani vendosi që të nxjerrë jashtë qiraxhiun e tij Ylvi Kodra. Në gjykatë ky i fundit ka pohuar se vendimit për të dalë nga banesa nuk i është përgjigjur pozitivisht për shkak se pronarit të banesës i kishte paguar kesh 5 muaj resht. Nga kjo pagesë atij i kishte mbetur për të qëndruar dhe dy muaj të tjerë. Në gjykatë autori pretendoi se i kishte kërkuar viktimës që t’i dorëzonte shumën e lekëve të dy muajve, me qëllim që t’i lironte banesën, por Sami Kapllani nuk ka pranuar duke lëshuar ultimatumin për lirimin e banesës. Kaq ka mjaftuar që palët të konfliktohen njëri me tjetrin, ku fillimisht janë përplasur fizikisht dhe më pas sherri degjeneroi në përdorimin e mjeteve të mprehta si thikë dhe gërshërë. Autori i dyshuar Ylvi Kodra theksoi se viktima kishte tentuar ta qëllonte me gërshërët, pasi në atë moment ishte duke krasitur hardhitë e rrushit. Kodra ka shtuar se në kushtet e vetë mbrojtjes ka marrë një thikë duke e qëlluar dy herë Kapllanin. Para gjykatës ai ka pohuar se në çastin e krimit kishte pasur tronditje psikologjike dhe se nuk kishte kuptuar se çfarë veprime po kryente. Pavarësisht kësaj dëshmie, gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit për ta lënë shtetasin Ylvi Kodra në masën e sigurimit “arrest në burg” deri në përfundim të hetimeve. Lidhur me këtë vendim mbrojtja ligjore u shpreh se shumë shpejt vendimi i shkallës së parë do apelohet, ku do kërkohet një masë më e butë. Momentalisht Prokuroria shprehet se ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale thikën, si dhe ka administruar në dosje disa dëshmi të personave që kanë qenë të pranishëm në vendin e krimit. Ngjarja në fjalë ndodhi pikërisht më 16 maj, në një banesë private që ndodhen në rrugën “Kongresi i Lushnjës”. Kanë qenë efektivat e komisariatit nr. 2 që kanë mundësuar arrestimin në flagrancë të autorit të krimit, i cili pas marrjes në pyetje ka pranuar autorësinë e vrasjes së Sami Kapllanit.

Gërshërët

Autori i krimit ka pretenduar në gjykatë se viktima Sami Kapllani ka tentuar ta godasë me gërshërët e hardhive. Në kushtet e vetëmbrojtjes ai ka marrë një thikë duke e qëlluar dy herë në trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Borxhi dymujor

Ylvi Kodra tha para gjykatës se viktima i ka pasur borxh paratë e dy muajve, që ai i kishte paguar që në fazën fillestare të marrjes në dorëzim të banesës. Pavarësisht se ai ja kishte kërkuar këtë shumë financiare me qëllim lirimin e banesës, Kapllani ka refuzuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›