Berisha ftesë opozitës: Përparësi për reformën zgjedhore, mazhoranca do miratojë amendamentet e PS-së

-- Grupi parlamentar demokrat mban 1 minutë heshtje për ndarjen nga jeta të deputetes dhe ish ministres së Drejtësisë së Kosovës, Nekibe Kelmendi
-- Zgjedhjet e ardhshme parlamentare bëhet realitet votimi elektronik. Berisha: Në 4700 Qendrat e Votimit do aplikohet sistemi më i sigurtë elektronik
Reforma Zgjedhore
Kancelaritë perëndimore dhe në veçanti Bashkimi Evropian ka kërkuar nga faktori politik shqiptar nisjen nga puna të hartimit të reformës zgjedhore. Rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Brukselit, janë që reforma të gjejë konsensusin e gjerë të forcave politike si dhe të miratohet me pajtimin konsensual pozitë-opozitë. Nisur nga një fakt i tillë, është mazhoranca ajo që i shtrin dorën e bashkëpunimit opozitës socialiste. Nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje kreut të opozitës Edi Rama se, reforma zgjedhore është një detyrim i komunitetit ndërkombëtar, ndërsa për hartimin e saj, do të ketë përparësi të veçantë opozita. “Garantojmë plotësisht opozitën shqiptare dhe komunitetin ndërkombëtar se ne mbetemi të angazhuar për një hapësirë të plotë në reformën zgjedhore, për t’i dhënë përparësi në këtë reformë propozimeve të opozitës për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Këto rekomandime, një pjesë e mirë e tyre janë adresuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Të tjerat kanë gjetur mishërim të shkëlqyer në vendimet e Gjykatave të vendit. Pra, edhe një herë, ne mbetemi të vendosur që në reformën zgjedhore përparësi të marrë opozita”- u shpreh kryeministri Berisha. Gjithashtu ai i kërkoi Partisë Socialiste që amendamentet specifike lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat do bëhen në bazë të reformës së re zgjedhore, t’i dërgojë në Komisionin e Venecias dhe në Departamentin Juridik të OSBE/ODIHR. Sipas kryeministrit, mazhoranca është e gatshme t’i votojë pa asnjë kusht dhe pa asnjë koment. “Në reformën zgjedhore opozita të hartojë amendamentet dhe t’i dërgojë në Komisionin e Venecias dhe në Departamentin Juridik të OSBE/ODIHR, në mënyrë që mazhoranca t’i votojë ato pa asnjë lloj hezitimi, pas opinionit nga këto dy institucione. Mazhoranca propozon angazhimin e këtyre dy institucioneve, jo për të krijuar ndonjë kundërshti apo rivalitet ndaj tyre, por për traditën e bashkëpunimit me të dy institucionet. Është OSBE/ODIHR që ka dhënë një kontribut shumë thelbësor në reformën zgjedhore në Shqipëri. Është edhe Komisioni i Venecias që ka bërë ekspertizë të shkëlqyer, shumë të çmuar, të Kodit Zgjedhor. Ndaj dhe ne jemi dhe do mbetemi të hapur ndaj të dy këtyre institucioneve për të vendosur standardet më të mira ndërkombëtare që opozita dëshiron.
Përsëri unë dua të ftoj opozitën të hartojë amendamentet, t’i dërgojë ato në Komisionin e Venecias e në Departamentin Juridik të OSBE/ODIHR dhe kjo mazhorancë do t’i votojë pa asnjë kusht, pa asnjë koment. Mendoj se kjo është fryma e kompromisit maksimal, e koncesionit maksimal që i shërben vendit”- tha kreu i qeverisë. Siç dhe kuptohet, Partia Demokratike dhe mazhoranca në tërësi, “dorë hiqen” nga çfarë do lloj ndërhyrje lidhur me hartimin e reformës elektorale, ndërsa ekskluziviteti i saj do t’i takojë edhe njëherë palës së opozitës, ashtu siç edhe u veprua në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, ku PS ishte firmëtarja e certifikimit të formulës zgjedhore.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare bëhet realitet votimi elektronik. Berisha: Në 4700 Qendrat e Votimit do aplikohet sistemi më i sigurtë elektronik
Kryeministri Sali Berisha informoi dje në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat se, numërimi elektronik i votave do të ishte përgjigja më e shkëlqyer ndaj diskutimeve të panevojshme. Sipas kreut të qeverisë, qeveria është e gatshme të vendosë në të 4700 Qendrat e Votimit, sistemin më të sigurtë dhe më të mirë elektronik. “Mbetem i bindur se numërimi elektronik i votave do të ishte përgjigja më e shkëlqyer e disa diskutimeve të panevojshme. Qeveria është e gatshme të vendosë në të 4700 qendrat e votimit sistemin më të sigurt dhe më të mirë elektronik që ekziston në ndonjë vend. Njëkohësisht, vendosja e sistemit elektronik do të bëjë të mundur që për Shqipërinë, për vendin e tyre, të votojnë edhe qindra e mijëra emigrantë shqiptarë, aksionerë me kontribut themelor në zhvillimin e këtij vendi. Është në detyrimin tonë më madhor moral që tu krijojmë atyre mundësi të shprehin preferencën politike për vendin e tyre. Vendet që kanë aplikuar votimin elektronik u kanë krijuar njëkohësisht mundësi qytetarëve të tyre, kudo që ndodhen, të votojnë për forcën politike, për kandidatin që duan”- u shpreh kryeministri. Berish theksoi se “votimi elektronik është 100 përqind i mundshëm dhe kërkon vetëm vullnetin e mirë të të gjitha forcave politike për ta zbatuar atë”. “Në rast se do të shpreheshim po me kaq vendosmëri 4-5 vjet më parë nuk do të tingëllonte kaq realiste, sepse 5 vjet më parë shkalla e penetrimit të internetit në këtë vend ishte gjithsej 4.8 përqind. Por sot që shkalla e penetrimit në internet është rreth 50 përqind, që interneti ekziston në mbi 2000 shkolla të vendit dhe në 510 zyra të sistemit të Postës Shqiptare, ne jemi të aftë dhe kemi të gjitha mundësitë ta shtrijmë atë në çdo qendër votimi të këtij vendi”- tha Berisha. Ai i kujtoi opozitës që të shqyrtojë ofertën e tij, për të adresuar çdo problem që i takon çështjes së transparencës së zgjedhjeve. Sipas kryeministrit Berisha, votimi elektronik është alternativa më seriozë për reformën e ardhshme zgjedhore. “Uroj, dëshiroj, dhe e ftoj opozitën që të marrë të gjithë rolin dhe peshën e saj në ushtrimin e pushtetit që i ka dhënë sovrani. Të gjitha kandidaturat me 3/5 do të jenë ekskluzivisht propozime të saj, pa një alternativë nga shumica. Në të gjitha ligjet me 3/5 do të ketë drejtën të bëjë të gjitha amendamentet që mendon se përmirësojnë standardet e tyre dhe mazhoranca t’i votojë”- tha më tej Berisha.
...