E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ pranon kërkesën e PR: Rinumërim në Shkodër

TIRANË- KQZ vendosi me 4 vota pro kërkesën e PR për rinumërimin e votave në këtë zonën zgjedhore të Shkodrës.

Komisioni Qendror Zgjedhor vijoi sot me shqyrtimin e kërkesën ankimore të Partisë Republikane, për rezultatin në qarkun Shkodër. Përfaqësuesi ligjor i PR-së, Arian Madhi, pretendoi se procesi në këtë qark është manipuluar dhe për këtë ai kërkoi rinumërim të votave në këtë zonë zgjedhore.

"Në Shkodër jemi para të njëjtës situatë si në rastin e qarkut Lezhë dhe konstatojmë se ka manipulime. Ajo që na duhet në këto momente është transparenca e procesit, për të garantuar integritetin e tij", theksoi Madhi. 

Nga ana e saj kryetarja e KQZ-së, Lefterije Lleshi, tha se qarku i Lezhës zbuloi një realitet tjetër, të paparashikuar me grupet e numërimit të votave. "Ajo që ne mendojmë është se grupi i numërimit të votave atje na solli shifra të ndryshme mes votave në kuti dhe atyre të paraqitura në tabelë. Dyshimet tona për këta persona do i çojmë tek organi i akuzës", tha kryetarja e KQZ-së.

Në fund të mbleedhjes KQZ pranoi ankimin e PR dhe  vendosi për rinumërimin e votave në këtë zonën zgjedhore të Shkodrës.

Po ndërsa në rastin e Lezhës dhe të Kukësit manipulimi që pretendohet ka pasur efekt në ndarjen e mandateve mes dy koalicioneve të mëdha, në qarkun e Shkodrës lufta ka qenë brenda llojit. Republikanët pretendojnë se kandidatit të tyre, Gaspër Kokaj i është marrë mandati i deputetit në këtë qark falë manipulimeve dhe falsifikimit të rezultatit nga ana e demokratëve, të cilët siguruan kështu mandatin e 5-të, atë të Gjovalin Bzhetës.

Ndaj PR kërkoi sot  rinumërim në 5 qendra votimi në ZAZ numër 1 në Shkodër, pasi sipas saj, falë korrigjimeve të bëra në tabelat e rezultateve për këto qendra PD-së i janë shtuar 475 vota më shumë sesa ajo kishte në këto kuti. Vetëm këto vota, thekson PR, kanë ndikuar që kandidati i kësaj force për këtë qark të humbasë mandatin përballë Partisë Demokratike, të cilin e kishin në një koalicion. Jo vetëm kaq, por PR në padinë e vet kërkon gjithashtu rinumërim të votave edhe në 10 qendra të tjera në këtë ZAZ, pasi në tabelat e rezultateve të votave ka korrigjime të dukshme, të cilat sipas kësaj force kanë bërë që numri i votave të vlefshme dhe të pavlefshme të gjendura në kuti nuk përkon me numrin e zgjedhësve që kanë votuar.

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›