E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi në familje, gratë protestë të heshtur para Ministrisë së Drejtësisë

TIRANE- Dhjetëra aktivistë të shoqërisë civile u mblodhën sot në mesditë para Ministrisë së Drejtësisë, në shenjë proteste ndaj masave të buta që po trajtohen dhunuesit e grave si dhe krimet ndaj tyre të shënuara gjatë ditëve të fundit. 

Sipas "Manifestit qytetar: Ndalo dhunën ndaj gruas", në thirrjen e tyre publike, "i kërkojmë drejtësisë së këtij vendi, të bëjë drejtësi". 

Nën moton "Ndal dhunën ndaj gruas", dhjetëra të rinj, anëtarë të shoqërisë civile, si dhe mbështetës të së njëjtës kauzë, bënë të ditur se "protesta që po zhvillohet sot, është kundër dhunës ndaj grave, por edhe kundër mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë në vend". 

Thirrjeve "Ndalo. Ndëshko. Mos justifiko!" u janë bashkuar edhe aktivistët e shoqërisë civile si Sazan Guri dhe Erion Kristo. 

"Neni numër 1 i Kushtetutës së Shqipërisë duhet të jetë mos-prekja e grave, nënave e motrave...Kemi detyrimin e madh për të mbrojtur qytetërimin nga këta barbarë", tha Guri. 

Në fjalën e tij Erion Kristo, i cili ishte ndër iniciatorët e parë të kësaj proteste të zhvilluar sot në mesditë, tha se, "këtë thirrje e kam për gjykatësit...Ju duhet ta respektoni ligjin". 

Protesta paqësore, apo siç u quajtur ndryshe nga shoqëria civile, "Manifesti qytetar", ishte reagimi i parë publik pas disa ngjarjeve tronditëse që janë shënuar përgjatë ditëve të fundit në krimin në familje në Shqipëri.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›