KQZ, rrëzon ankimimin e Dritan Priftit për rinumërim të votave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën ankimore të Dritan Priftit për rinumërim të votave në Fier.
Përfaqësuesi ligjor i Dritan Priftit kërkoi rinumërim dhe rivlerësim të votave në 10 ZAZ të Fierit, zonë ku Prifti kandidoi si deputet i pavarur por kjo kërkesë nuk u pranua nga KQZ-ja.
Sipas përfaqësuesit ligjor të Priftit, në këto zona duhet të realizohet procesi i rinumërimit, për të çuar në vend vullnetin e zgjedhësve.
Vullneti i zgjedhësit është deformuar nga një proces numërimi i realizuar në mënyrë të organizuar për të deformuar rezultatin, në dem të ankuesit dhe në favor të subjekteve të tjera, deklaroi ai në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.
Në ankesën e tij kandidati Prifti vë në dukje se nga ana e KZAZ-ve nuk janë lejuar vëzhguesit e ankuesit, si kandidat i mbështetur nga zgjedhësit për të hyrë dhe për të qënë prezent në ambientet e Vendeve të Numërimit të Votave për të monitoruar procesin e numërimit, duke shkelur kështu kodin zgjedhor.
Kandidati i pavarur në qarkun e Fierit, Dritan Prifti u tërhoq nga procesi i numërimit të votave të 23 qershorit, me pretendimin se PS dhe LSI i kanë vjedhur 50% të votave. Në një prononcim për mediat, Prifti sqaroi se atij i janë vjedhur rreth 10 mijë vota.