E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS thirrje policisë: Garantoni sigurinë publike

Partia Socialiste ka reaguar sot për situatën kriminale në vend ndërsa u ka kërkuar policisë së shtetit të garantojë rendin dhe sigurinë në vend.

Deputeti i PS-së Sajmir Tahiri është shprehur në një konferencë për shtyp se vendi po përjeton një përshkallëzim kriminal të paparë dhe të padëgjuar ndonjëherë. Sipas tij Shqipëria është zhytur në thundrën e kriminalitetit.

“I bëjmë sot thirrje të gjithë punonjësve dhe drejtuesve të ndershëm të Policisë së Shtetit: Ngrihuni në këmbë e bëni detyrën për të garantuar sigurinë publike dhe paprekshmërinë e qytetarëve shqiptarë!  Tregoni se shteti është në këmbë pavarësisht se bien qeveritë! Tregoni se vetë Policia e Shtetit është në këmbë për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve.  I bëjmë thirrje oficerëve dhe punonjësve të përkushtuar të policisë së shtetit: Keni mbështetjen dhe besimin tonë për të bërë gjithçka është në dorën tuaj për të garantuar misionin kryesor: qytetarët shqiptarë kanë të drejtën absolute të jetojnë e të gëzojnë të qetë shëndetin, jetën dhe pronën e tyre dhe ne duhet ta garantojmë pa asnjë kusht” tha Tahiri.

Tahiri theksoi se pas formimit të qeverisë së re do të fillojë edhe një kapitull i ri për policinë e shtetit por deri atëherë uniformat blu duhet të kryejnë detyrën e tyre duke ruajtur rendin dhe qetësinë publike.

“Pas shtatorit, do fillojë një kapitull i ri, edhe për Policinë e Shtetit. Por deri atëherë, mos braktisni ushtrimin e detyrës duke lënë qytetarët në mëshirë të krimit. Jepini qytetarëve shqiptar atë që meritojnë, qetësinë publike për të jetuar të lirë nga kërcënimi i krimit. Pas shtatorit, të gjithë bashkë, do rilindim shpirtin, misionin dhe fuqinë e shtetit ligjor, duke rilindur skuadrën e policisë së shtetit. I bëjmë thirrje dhe atyre pak njerëzve që në këto ditë, e çojnë nëpër mend të shkelin ligjin apo të lajnë hesape kriminale. Ndaluni dhe bëni llogaritë mirë, përndryshe koha që forca e ligjit dhe drejtësisë të bëjë llogaritë me ju, vjen më shpejt se çe mendoni!” përfundoi Tahiri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›