KQZ rrëzon kërkesën e PS-së për rinumërimin e votave të Shkodrës
Pranohet vetëm kërkesa e PD-së për hapjen e dy kutive
Eljona Ballhysa
Komisioni Qëndror Zgjedhor rrëzoi sërish dje kërkesën e Partisë Socialiste për të rinumëruar votat e qarkut të Shkodrës. Ashtu siç ka vepruar në mbledhjet e tjera, KQZ-ja me shumicë votash ka rrëzuar kërkesat e Partisë Socialiste për rinumërimin e votave në qarkun e Tiranës dhe Beratit. Ndërsa gjatë ditës së djeshme rrëzoi kërkesën e mbështetur nga dy anëtarë të Komisionit Qëndror Zgjedhor, Dëshira Subashit dhe Artan Lazes për rinumërimin e votave të qarkut të Shkodrës. Kërkesë për rinumërim votash në këtë qark, përveç Partisë Socialiste, kishte bërë dhe Partia Demokristiane. Por KQZ-ja vendosi rrëzimin e këtyre kërkesave, ndërsa mori në konsideratë kërkesën e Partisë Demokratike për rinumërimin e votave, vetëm të dy kutive të votimit. Kryetari i Komisionit Qëndror Zgjedhor, Arben Ristani, argumentoi se KQZ-ja nuk ka kompetenca të rinumërojë votat e një qarku të tërë. Sipas tij, në Kodin Zgjedhor parashikohet rinumërim për kuti të veçanta dhe jo për të gjithë qarkun.
Mbledhja
Ankesa e Partisë Socialiste ka të bëjë me pretendimet për parregullsi gjatë numërimit të votave në KZAZ-të nr. 40, 41, 42, 43 e 44. Sipas nënkryetares së KQZ-së, Dëshira Subashi, komisioni duhet të zbatojë nenin 138, për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërim të votave kur dy anëtarë të KQZ-së kërkojnë rinumërim ose rivlerësim të votave të caktuara. “Dispozita thotë që KQZ-ja është e detyruar që të vlerësojë nëse duhet ose jo të pranohet ankimimi i subjekteve zgjedhore. Pra, KQZ-ja duhet të vlerësojë nëse kërkesa është e drejtë apo e padrejtë. Ju duhet të votoni. Kodi ka përcaktuar në pikën 5 të nenit 138 që çfarë lidhet me këtë dispozitë, ankohet më tej në Kolegjin Zgjedhor. Me kërkesë të dy anëtareve, KQZ-ja është e detyruar të rinumërojë. Kështu shprehet Kodi”, - është shprehur Subashi gjatë fjalës së saj.
Por, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani u shpreh kundër këtij propozimi. “KQZ-ja është e detyruar të bëjë rinumërim dhe rivlerësim kur kërkohet nga dy anëtarë vetëm për vota të caktuara. Kërkesa e PS-së, në këtë rast, nuk është rinumërim për vota të caktuara, por për rinumërim të votave për një qark të tërë. Për këtë kërkesë nuk ka parashikim në Kod. Për këtë arsye ne mendojmë se kjo kërkesë duhet rrëzuar, pasi është e pabazuar në ligj”, - ka sqaruar Ristani, i cili më pas e hodhi propozimin në votim. Kundër propozimit votuan komisionerët e PD-së. Më pas komisionerët votuan pro propozimit të Partisë Demokratike për rinumërimin e votave në kutitë e votimit me nr. 0211 dhe 0342 të KZAZ-së nr.41 në qarkun e Shkodrës. Gjatë mbledhjes së pasdites KQZ-ja numëroi fletët e votimit në dy kuti të KZAZ-së numër 42 të qarkut të Shkodrës. Pas procesit të numërimit, rezultoi në avantazh Partia Demokratike e cila ka marrë në kutinë 0211, 278 vota, ndërsa PS-j vetëm 38 të tilla.
Ambasadori Withers kërkon respektimin e Kodit Zgjedhor për rinumërimin e votave
Ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers ka komentuar vendimin e fundit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për të mos pranuar rinumërimin e votave të disa KZAZ-ve të qarkut të Tiranës dhe Beratit. Gjatë mbledhjes së një dite më parë, KQZ-ja rrëzoi kërkesën e Partisë Socialiste, por edhe të disa subjekteve të tjera politike, për të rinumëruar kutitë e votimit në disa qendra të qarkut të Tiranës dhe të Beratit, ku janë vënë re shkelje të ligjit gjatë procesit të numërimit të votave. I pyetur rreth kësaj situatë, diplomati amerikan tha se është me rëndësi jetike që çdo fazë e procesit zgjedhor të jetë në përputhje absolute me Kodin Zgjedhor, përfshi këtu edhe çështjen e rinumërimit të votave. Ambasadori amerikan tha: “ashtu siç e kam theksuar më parë, është e domosdoshme që të gjitha aspektet e procesit të jenë transparente, që procesi të vazhdojë në mënyrë profesionale, të mos jetë i politizuar dhe që të jetë gjithmonë në sundimin e ligjit”. Reagimi i ambasadorit amerikan për rinumërimin e votave, si pjesë e procesit final, vjen një ditë pasi KQZ-ja refuzoi të zbatojë një klauzolë të ligjit për rinumërimin e votave në qarkun e Tiranës, pas kërkesës së dy anëtarëve të KQZ-së. Ky vendim u konsiderua i paligjshëm nga Partia Socialiste.
Nard Ndoka në KQZ: “Do të kërkojmë përsëritjen e zgjedhjeve në Shkodër”
Kryetari i Partisë Demokristiane ishte dje i pranishëm në mbledhjen e Komisionit Qëndror Zgjedhor, ku ka kërkuar rinumërimin e votave në këtë qark, duke bërë të ditur se gjatë procesit të numërimit janë bërë manipulime nga komisionerët e PD-së. Ndoka gjithashtu bëri të ditur se nuk janë lejuar të marrin pjesë gjatë procesit të numërimit vëzhguesit e Partisë Demokristiane, gjë e cila është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Më tej, ai kërkoi që të paktën të hapet një kuti votimi që i përket këtij qarku, në mënyrë që media dhe publiku të njihen me manipulimet që janë bërë gjatë procesit zgjedhor. “Do të ishte në moralin tuaj që të paktën një qendër votimi të hapet në prezencën e mediave dhe publikut për të vërtetuar ato manipulime që janë bërë. Në të kundërt, na lind e drejta që ta konsiderojmë të manipuluar qarkun e Shkodrës dhe të kërkojmë ripërsëritjen e zgjedhjeve në këtë qark”,- është shprehur Ndoka, ndërsa është shprehur se do ta ankimojë vendimin në Kolegjin Zgjedhor. Ai akuzoi KQZ-në për zvarritje të procesit të nxjerrjes së rezultatit dhe se po i merr vendimet në presion politik. “Procesi është zvarritur dhe kjo është një kosto shumë e madhe për vendin. Ju po veproni në presion politik”, - është shprehur Ndoka, i cili ka debatuar me përfaqësuesin ligjor të PD-së, Njazi Kosovrasti, për shkak se ky i fundit i tha që të mos bëjë deklarata politike.
PDI denoncon mandatin e 9 të PS-së në Fier
Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, tha dje gjatë një konference për shtyp se denoncon “mandatin e grabitur të PDI-së në qarkun e Fierit, mandat i cili që në fillim i takoi kandidatit të komunitetit çam në Fier, Nimet Musai, por, pas trynisë së padrejtë të qarqeve të Partisë Socialiste, ky mandat u sakrifikua qëllimisht”. Muhedini vlerësoi se “hyrja e Partisë për Drejtësi dhe Integrim për herë të parë në Parlamentin shqiptar është një moment shumë i rëndësishëm për komunitetin çam, pasi ne do të luftojmë për çështjen madhore të të drejtave të njeriut, sipas parimeve të demokracisë dhe integritetit europian”. Sipas tij, "PDI-ja angazhohet që me të gjitha mjetet ligjore të mbrojë votën e lirë të popullit të shprehur me qytetari të rrallë dhe fitimin e mandatit të dytë në qarkun e Fierit”.
16 Korrik 2009