E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: KQZ të shpallë rezultatet, absurde pretendimet për mosnjohje zgjedhjesh



Kreu i LSI-së, Ilir Meta ka bërë dje thirrje për mbylljen sa më të shpejtë të procesit zgjedhor, duke i cilësuar absurde tentativat për zgjatjen e këtij procesi. “Dua të vlerësoj se shtyrja e vazhdueshme e shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, nuk e ndihmon imazhin e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s, dhe aq më tepër perspektivën tonë në procesin e integrimit evropian. Politikanët e të gjithë krahëve duhet të kuptojnë se këto zgjedhje nuk duhet të shtojnë pikëpyetje mbi perspektivën e vendit tonë si një vend që ka aplikuar për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian. Politikanët e të gjithë krahëve duhet të kuptojnë se për hir të axhendave të tyre të ngushta politike personale nuk mund të luajnë me stabilitetin, integrimin dhe të ardhmen e Shqipërisë. Janë absurde pretendimet që ngrihen në vazhdimësi për mosnjohje të zgjedhjeve apo për përsëritje të tyre. Kjo është një fyerje e madhe për shqiptarët.
Ata që kanë qenë hartues, miratues dhe kontrollues të Kodit dhe të administrimit të zgjedhjeve, me pretendime të tilla, nuk mund të lajnë duart nga përgjegjësitë e tyre të drejtpërdrejta për dështimin në garantimin e standardeve në zgjedhje. Ndaj dua t’ju bëj thirrje, hartuesve të Kodit, dhe bashkë-administruesve të procesit zgjedhor dhe të numërimit të votave, të ngrihen mbi interesa partiake dhe personale, të lexojnë me qetësi rezultatin përfundimtar, dhe të nxjerrin përgjegjësitë e tyre politike përpara shqiptarëve”, - deklaroi dje Meta. Në lidhje me marrëveshjen qeverisëse që pritet të nënshkruajë LSI-ja me PD-në, Meta ka sqaruar se deri më tani nuk ka asnjë negociatë për asnjë post pasi sipas tij më e fundit çështje që do të diskutohet, janë pikërisht postet dhe çështja e përfaqësimit në këtë koalicion të ri. “Ajo që është kryefjala e këtij koalicioni kryesfida e këtij koalicioni, padyshim që është integrimi i Shqipërisë në Evropë. Sfidat janë të panumërta dhe në radhë të parë liberalizimi i vizave në një të ardhme të shpejt, e cila unë besoj që do të jetë e afërt dhe nuk do të jetë ajo që të mund të mendoj dikush sot, pas një lajmi që kartën e pushtetit u ndan në mënyrë ilegale midis PD dhe LSI. Për ne nuk është e rëndësishme çështja e posteve, për ne e rëndësishme dhe ajo që i intereson të gjithë shqiptarëve stabiliteti i qeverisë. Është një mënyrë funksionimi e qeverisjes në funksion të reformave dhe integrimit, sepse kjo u duhet të gjithë shqiptarëve”, - ka deklaruar dje Meta. Më tej ai ka nënvizuar se për LSI-në më i rëndësishëm se çdo gjë është partneriteti me Partinë Demokratike për të përmbushur ato standarde që kërkon Bashkimi Evropian.

16 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›