Hasan Lika: “Vllaznia i ka shancet që ta mposhtë Rapidin e Vjenës”
Skuadra e Vllaznisë së Shkodrës do të luajë të enjten ndaj Rapidit të Vienës në Austri në një sfidë të vlefshme për turin e dytë të Ligës Evropiane. Pasi kaluan në turin e parë iralndezët e Sligo Roversit, shkodranët do të gjenden përballë një kundërshtari me mjaft eksperiencë në arenën ndërkombëtare. Trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika, në një prononcim për ATSh-në pranoi faktin se kundërshtari austriak ka një përvojë më të madhe se Vllaznia në konkurimet europiane, por Vllaznia është një ekip me traditë në futbollin shqiptar dhe ndër më të suksesshmit e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Tekniku Lika kujton se “Skuadra e Vllaznisë në vitin 1978, gjatë një përballje për Kupën e Kampioneve ka luajtur mjaft mirë kundër kampiones së Austrisë, Austria e Vjenës, në përbërje të së cilës ishin emra të mëdhenj të futbollit botëror si Prohaska, vëllëzërit Robert dhe Jozef Sara etj., duke e mundur me rezultatin (2 – 0) në Shkodër dhe më pas është eleminuar vetëm me një gol, falë rezultatit (1 – 4) të regjistruar në ndeshjen e kthimit në Austri”. Ai shton se “Duke shpresuar që të marrim një rezultat pozitiv në Austri, ne synojmë që në ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet një javë më pas në stadiumin ‘Loro Boriçi’ të Shkodrës më datë 23 korrik, Vllaznia të sigurojë kualifikimin për në turin e tretë të Ligës Europiane, që nëse bëhet realitet, atëherë do të ishte një sukses i madh, jo vetëm për futbollin shkodran, por në përgjithësi edhe për të gjithë futbollin shqiptar, i cili jo vetëm që do të fitonte më tepër prestigj në botën e huaj të futbollit, por me këtë rast, edhe koeficienti i ekipeve shqiptare të futbollit merr zyrtarisht edhe një ngritje në rendtitjen europiane dhe atë botërore të fushës së futbollit”.
Agim Fagu zgjidhet president i KOKSH-it
Në ansamblenë e XIV të përgjithshme të KOKSH-it, të organizuar dje në mjediset e hotel “Sheraton” është zgjedhur në unanimitet të plotë si president i ri i KOKSH “Mjeshtri i merituar i sportit”, ish-basketbollisti i njohur i kombëtares Agim Fagu. Në 62 vota, 61 kanë qenë për Fagun, ndërkohë që një votë është shpallur si e pavlefshme. Në fakt, ish-basketbollisti i kombëtares ka qenë i vetëm në këtë garë për kreun e KOKSH-it sepse kandidatura “rivale” e Esat Ademit u hodh poshtë para votimit nga Komiteti Ekzekutiv i KOKSH, për shkak të shkeljes së etikës nga z. Ademi në Ansamblenë Zgjedhore të 6 dhjetorit të kaluar. Megjithëse presidenti i Federatës së Peshëngritjes ka kërkuar një sqarim më të detajuar mbi mospranimin e kandidaturës së tij për vendin e presidentit të KOKSH-it, Esat Ademi i ka uruar suksese Agim Fagut në detyrën e re duke theksuar se do të jetë i gatshëm për të bashkëpunuar me drejtuesit e rinj dhe do të kontribuojë për mbarëvajtjen e sportit shqiptar pavarësisht zhvillimeve të kohëve të fundit. Në fjalën e tij të rastit, presidenti Fagu është shprehur se do të impenjohet në mënyrë që të bëjë të mundur ndryshimin dhe plotësimin e statusin të KOKSH-it, i cili duhet të mishërojë cilësitë e statuseve ndërkombëtare.
“Një projekt tjetër është futja në procesin arsimor të programeve të reja mbi sportin dhe kjo mund të arrihet me ndihmën e Ministrisë së Arsimit dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO). Do të kërkoj bashkëpunim me CIO-n për të promovuar parimet themelore të olimpizmit në vendin tonë”, përfundon ai. Në këtë ansamble të radhës nuk kanë munguar përfaqësuesit e MTKTS dhe të CIO-s. Ndërkaq, me propozim të sekretarit të ri të KOKSH-it, Stavri Bello, ish-presidenti Hysen Domi është shpallur “president nderi i KOKSH”.
Bekam qetëson ujërat me shokët e Los Anxheles Galaksi
Më në fund duket se Bekam ka bërë paqe me shokun e tij të Los Anxheles Galaksi, Landon Donovan, i cili para disa kohësh ka replikuar ashpër në media, duke e akuzuar David Bekamin për mungesë serioziteti ndaj skuadrës dhe tifozëve amerikanë. Gjatë kësaj kohe asnjë nga deklaratat e Bekamit, se ndihej mirë në Itali dhe i pëlqente qëndrimi sa më i gjatë te Milani, nuk është pritur mirë nga tifozeria amerikane, por Bekham për t’i qetësuar ujërat është shprehur se “Skuadra ime ka qenë në dijeni të vonesës dhe të faktit që do të kthehesha te Galaksi sapo kjo të ishte e mundur. Nga ana tjetër, edhe Landon Donovan, një prej flamujve të futbollit amerikan, shok i Bekamit te Galaksi, i cili pasi e ka quajtur Bekamin kapiten të padenjë dhe ka marrë si përgjigje se është një futbollist diletant, duket se është penduar për disa gjëra që ka thënë dhe kërkon që ta harrojë këtë histori duke ecur para. “E pranoj, jam shprehur i nxituar për gjëra që kanë të bëjnë me profesionin dhe karrierën, të cilat janë mëse normale dhe ndodhin në ditët e sotme. Për më tepër, fjalët janë fryrë nga mediat duke u keqinterpretuar dhe nuk më vjen mirë për këtë. Gjithsesi, jemi të lumtur që e rikemi kapiten Bekamin sërish mes nesh”, është shprehur ai. Biseda mes Bekamit, Donovanit dhe trajnerit të Galaksit, Brus Arenas, ka sqaruar gjithçka dhe stërvitja ka nisur normalisht. Por, shtypi italian e komenton statusin e Bekamit në Amerikë, si një i burgosur i Los Anxheles Galaksi, për vet faktin se ylli i futbollit britanik është shprehur që mezi po pret të vijë janari, për t’u rikthyer te Milani, një skuadër e madhe ku të gjithë e duan...
Ndeshja e 16 korrikut në Vlorë
Tring transmeton live aventurën skoceze të Flamurtarit
Paketa dixhitale “Tring” njofton se ka siguruar të drejtat ekskluzive të transmetimit të ndeshjes të Flamurtarit të Vlorës dhe skocezëve të Madhëruellit, që pritet të na dhurojë spektakël, sikurse ka ndodhur edhe në të kaluarën me skuadrën vlonjate, me surprizat europiane që nuk kanë munguar. Në sezonin 1985-1986, Flamurtari barazoi 0-0 me Barcelonën në “Kamp Nou” për Kupën UEFA dhe u eliminua nga një gol i vonshëm në ndeshjen e dytë (1-1), që solli edhe eliminimin e vlonjateve nga ky aktivitet. Po në këtë Kupë, më pas, pas eliminimit të Vismut Aue dhe Partizanit të Beogradit, shorti i vendosi vlonjatët sërish kundër katalanasve, fituan 1-0 në Vlorë dhe humbën 4-1 në Barcelonë. Kujtojmë këtu deklaratën që ish-futbollisti i kombëtares kuqezi, Rudi Vata ka bërë para pak ditësh përmes BBC-së: “Herën e fundit që Flamurtari luajti në Europë, luajti katër herë kundër Barcelonës dhe dolën të pamundur në tri ndeshje. Madhëruelli nuk do ta ketë aspak të lehtë me Flamurtarin” – është shprehur ai.
Ataku kardiak ndal zemrën e bomberit fierak Kujtim Majaci
Pasditen e djeshme një atak kardiak ka ndalur zemrën e bomberit më të mirë të të gjitha kohërave për Apoloninë e Fierit, ish-futbollistit të njohur Kujtim Majaci. Në moshën 49-vjeçare, babai i tre fëmijëve ka ndërruar jetë ndërkohë që po pushonte me familjen në plazhin e Semanit. Majaci ka luajtur tri ndeshje me kombëtaren shqiptare si dhe ka dhënë një kontribut të madh, duke e drejtuar për 10 vjet ekipin e shpresave.
15 Korrik 2009