E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha miratoi mbrojtjen e interesave familjare në Porto Romano

Kreu socialist denoncon vendimet e marra të martën në mbledhjen e KRRTRSH-së

Kreu socialist Edi Rama ka denoncuar dje publikisht vendimet e marra nga KRRTRSH-ja në lidhje me shpalljen zonë industriale në Porto Romano. Sipas Ramës, kryeministri Berisha ka marrë peng KQZ, për të ruajtur një pushtet personal e familjar fitimprurës. “ Partia Socialiste kërkon me të drejtën që i jep, pa asnjë farë dyshimi, ligji zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, të bëjë transparencën e 28 qershorit në Berat, Tiranë e Shkodër, Sali Berisha vazhdon, në shkelje të plotë të çdo të drejte demokratike e ligjore, të shkatërrojë procesin zgjedhor dhe, njëkohësisht, të marshojë në rrugën e vendimeve shkatërruese për të ardhmen, për ekonominë kombëtare e për mjedisin tonë të përbashkët. Për qëllime që s’kanë të bëjnë asgjëkund me të mirën e përbashkët të shqiptarëve, po vetëm përfitimin material personal e klanor, Sali Berisha tregoi dje, edhe njëherë, se arsyeja pse e do me çdo kusht pushtetin që votuesit nuk ia dhanë ne 28 qershor, është që të marrë vendime si ato të djeshmet, ku me arrogancën e me injorancën e një dallkauku primitiv i hapi rrugë zhvillimit të disa projekteve tejet të dëmshme për vendin” deklaroi dje Edi Rama.
Akuza
Sipas kreut të socialistëve i ashtuquajturi Park Energjitik në Durrës është denoncuar shumë herë si një favor për sekserin serb të oborrit kryeministror. “Përrallën e respektimit të standardeve evropiane gjatë ndërtimit e funksionimit të këtij përbindëshi që nuk sjell asgjë të mirë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, Sali Berisha mund t’ia tregojë kukullave të tryezave të vendimmarrjeve të tij skandaloze, po askujt tjetër, sepse të gjithë e dimë fare mirë se kësisoj përbindëshash nuk ndërtohen më në Evropë pikërisht sepse bien ndesh me standardet e zhvillimit të qëndrueshëm. Dhe nëse për kryeministrin pa mandat për ta qeverisur Shqipërinë, mushkëritë e qytetarëve të Durrësit e të gjithë vendit janë më pak të çmuara sesa mushkëritë e qytetarëve të Bashkimit Evropian, për ne ato janë po njësoj të çmuara dhe asgjë që në Evropën e Bashkuar nuk lejohet më të ndërtohet, nuk ka pse lejohet të ndërtohet në Shqipërinë që po shkon drejt Evropës. Shqipëria s’mund të jetë as vendi ku rezultatin e zgjedhjeve e imponon kryeministri dhe as vendi ku kryeministri imponon zgjedhje të rënda, në dëm të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, siç është ky i ashtuquajtur Park Energjitik në Durrës apo siç janë seria e fabrikave të çimentos që do të nxijnë jetën e qytetarëve të Lezhës e të Shkodrës, duke i dhënë fund çdo ëndrre për turizëm”, - deklaroi dje Rama.
Paralajmërimi
“Ne nuk do t’i njohim zgjedhjet e 28 qershorit në rast se nuk do të na njihet e drejta jonë demokratike e ligjore, për të gjitha kontestimet tona të pamohueshme, dhe nuk do t’i njohim as ato vendime të djeshme të Sali Berishës që i mohojnë Durrësit, Lezhës, Shkodrës e, në fakt, gjithë Shqipërisë, të drejtën e një zhvillimi të qëndrueshëm e të shëndetshëm për sot e për brezat që do të vijnë”, paralajmëroi dje Edi Rama. Më tej ai ka siguruar qytetarët e zonave të prekura drejtpërdrejtë vendimi i KRRTRSH-së, e cila sipas Ramës zhvillohet paralelisht maskaradën e KQZ-së, se PS-ja do të jetë e vendosur për ta ndalur, me çdo mjet demokratik, dorën që shkatërron të ardhmen e një atdheu të tërë për të pasuruar një familje të vetme.

BOX
Berisha: Vetëm mafia antiglobaliste kundërshton Parkun Energjitik

Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës ka miratuar këtë të martë lejen e ndërtimit për një zonë energjetike më Porto Romano, ku përfshihen dhe TEC-e si dhe një zonë industriale ku do të ndërtohen depozita nafte dhe gazi, e gjitha në një sipërfaqe prej 810 hektarësh. Gjatë miratimit të këtij projekti kryeministri kërkoi respektimin e normave të lejuara për ndotjen, duke i quajtur si kriminale ata që i kundërshtojnë këto projekte me rëndësi për vendin dhe rajonin. “Kjo, - u shpreh Kryeministri - do të jetë zona më e fuqishme industriale e vendit. Zonë e cila do të shtohet në një sipërfaqe prej 810 hektarësh. Ne nuk kemi asnjë paragjykim është me qymyr, është me gaz apo është me naftë, e rëndësishme është që të mos prodhojë ndotje që nuk e përmban standardi. Kemi një zonë turistike shumë të rëndësishme, kemi një qytet kryesor të vendit, në mënyrë absolute antiglobalistët nuk do mund të diktojnë asgjë, përfaqësojnë thjeshtë interesa të mafies dhe aspak të qytetarëve”, u shpreh Kryeministri Berisha.

16 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›