KQZ shpall rezultatin: PD fiton si koalicion, por humb si parti
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli dje me votë unanime rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë
TIRANË - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli dje me votë unanime rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, që u mbajtën më 28 qershor.
Me 7 vota pro dhe asnjë kundër, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve konfirmuan fitoren e koalicionit "Aleanca e Ndryshimit" me 70 mandate, (edhe pse jo e mjaftueshme për të formuar qeverinë), kundrejt koalicionit "Bashkimi për Ndryshim", që mori 66 mandate.
Pavarësisht rezultatit me votë unanime, apo edhe deklaratës së kryetarit të këtij komisioni, Arben Ristani, se ky proces zgjedhor ishte i lirë dhe i ndershëm, zgjedhjet e 28 qershorit sollën të vërtetën e pakontestueshme të forcës më të madhe në opozitë, PS-së, sipas së cilës, standardet u cenuan, duke bërë fajtore edhe KQZ-në.
Sipas rezultatit të bërë publik, PD-ja ka fituar vetëm si koalicion në saj të strategjisë së saj për të afruar pranë vetes shumë parti, edhe pse shumica e tyre, krejtësisht anonime. Ndërsa PS-ja ka fituar bindshëm si forcë politike me 10 mijë vota më shumë sesa PD-ja. Megjithatë, si koalicion PS-ja ka fituar 45.34% të votave, e përkthyer kjo në 66 mandate, ndërsa koalicioni i PD-së, 46.92% , e thënë ndryshe 70 mandate. Koalicioni "Aleanca Socialiste për Integrim" ka fituar 5.56% të votave ose 4 mandate, ndërsa koalicioni i katërt i regjistruar në këto zgjedhje, "Poli i Lirisë" nuk mundi të sigurojë asnjë mandat deputeti.
Në zgjedhjet e 28 qershorit u regjistruan 34 parti politike si subjekte zgjedhore, nga të cilat: 33 prej tyre u grupuan në 4 koalicione, një garoi e vetme, Partia Ligj dhe Drejtësi dhe një kandidat, Abdullah Omuri, garoi si kandidat i pavarur. Të gjithë subjektet zgjedhore paraqitën në listat e tyre shumemërore rreth 3.800 kandidatë.
Numri i vëzhguesve të huaj që vëzhguan këto zgjedhje ishte 600 vetë, ndërsa ai vëzhguesve vendorë 4.800 vetë. Në këto zgjedhje morën pjesë 1.566.079 zgjedhës nga 3.084.946 që përmbante lista e zgjedhësve ose 50.77%, shifër kjo më e larta e 4 zgjedhjeve të fundit.
Numri i votave të vlefshme, që prodhuan rezultatin përfundimtar ishte 1.519.176 ose 97.3%. Në përfundim të këtij procesi, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, deklaroi se gjatë zgjedhjeve dolën në pah edhe mjaft probleme, si bashkëpunimi jo frytdhënës me pushtetin vendor, subjektet zgjedhore propozuan me shumë vonesë anëtarët e komisioneve zgjedhore dhe për rrjedhim, trajnimi i tyre, në disa raste, ishte i mangët ose nuk u arrit të zhvillohej.
Kryetari i KQZ-së pranoi për herë të parë se disa vende të votimit dhe të numërimit të votave mund të ishin përzgjedhur më mirë dhe në kohën e duhur. Sipas Ristanit, edhe procesi i numërimit të votave u vonua më tepër se sa parashikohej.