E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia, kriteret që duhen marrë parasysh

Oficerët e kredisë thonë se, qytetarët më shumë janë të interesuar për normën e interesit dhe shumën e kësteve


Cani: Të parat që merren në konsideratë janë, afati i maturimit dhe kostoja totale e kredisë deri në shlyerjen e saj.


TIRANË- Kredia është një nga mënyrat më të përhapura në gjetjen e finacimeve për kryerjen e një investimi. Ndryshe nga çdo mall tjetër në treg, ajo është një produkt në zgjedhjen e së cilit duhet të tregohet një kujdes i veçantë, për vetë specifikën e saj.


Përgjatë viteve të fundit, portofoli i kredisë të bankave tregtare në vend ka njohur rritje të konsiderueshme, duke pasqyruar një kërkesë në rritje të shqiptarëve për t'u financuar në sipërmarrjet e tyre.


Në lidhje me këtë, specialistë të ndryshëm të institucioneve financiare ndërkombëtare, theksojnë faktin se, kredimarrësi shqiptar ka prirje që të mos tregohet shumë selektiv ndaj produkteve dhe kushteve me të cilat bankat i ofrojnë ato, duke shtuar në këtë mënyrë premisat për rritjen e portofolit të kredivë të këqija.


Eri Avdiu, oficer kredie në një nga bankat që operojnë në vend shprehet se, shumica e pyetjeve dhe interesit të personave të interesuar për kredi ka të bëjë vetëm me normën e interesit dhe shumën që duhet të paguajnë për çdo këst, ndërkohë që sipas tij ka shumë pika të tjera për të cilat mund të tregohet interes nga klientët.


Para se të drejtohemi në sportelin e një banke për të kërkuar financim, këshillohet që në radhë të parë të marrim parasysh aftësine tonë për shlyerjen e borxhit dhe kushtet në të cilat bankat na e ofrojnë atë.


Në morinë kritereve mbi të cilat duhet treguar vëmendje, ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani radhit disa pre tyre. Sipas tij, nësë një person vendos që të marrë një kredi për çfarëdo lloj qëllimi, kriteret e para që duhet të marrë parasysh janë, afati i maturimit dhe kostoja totale që ky i fundit duhet t'i paguajë bankës deri në momentin e shlyerjes së plotë të saj.


"Zakonisht kreditë që merren për blerjen e shtëpive apo për investime me vlerë të madhe, kanë një afat maturimit të gjatë, që shkon 15 apo më shumë vite. Ndërsa , afati i shlyerjes së huave të marra për blerjen e një makinë, apo për një investimi të ngjashëm, këshillohet të variojë nga tre deri në shtatë vite. Sigurisht sasia e marrë hua apo afati i maturimit të saj, varet nga gjëndja ekonomike e kredimarrësit apo investimi i parashikuar për t'u kryer.


Duhet medoemos që kredimarrësi të interesohet mbi sasinë totale të parave që ai duhet të paguajë deri në përfundim të kontratës me bankën",- shprehet Cani. Vëmendje gjithashtu, duhet treguar edhe mbi faktin nëse norma e interesit që na ofron banka është e ndryshueshme apo fikse. Edhe në këtë rast, duhet të pyetur se sa do të jetë sasia totale që kredimarrësi do të duhet t'i paguajë bankës deri në shlyerjen e plotë të borxhit.


Një nga situatat me të cilën mund të përballen kredimarrësit është mundësia e shlyerjes së kësteve të kredisë para afatit të përcaktuar në kontratë, çka zakonisht shoqërohet edhe me penalitete. Në tregun bankar në Shqipëri, ofrimi i kësaj lehtësie varet nga kushtet që ka vetë banka.


"Zakonisht kjo lehtësi ndaj klientit ofrohet duke e penalizuar me një përqindje të caktuar të shumës totale të kredisë. Zakonisht penaliteti është sa dy për qind e totalit të kredisë, ndërsa ka edhe banka që e bëjnë të mundur këtë pa asnjë shpenzim ekstra për kredimarrësin.


Duhet që gjatë negociimit të merret parasysh edhe ky fakt, pasi mund të rastisë që pasi të kesh shlyer disa këste të jesh i prirur për të likuiduar totalisht huanë para afatit të përcaktuar në marrëveshje" ,- këshillon Cani.


Jo më shumë se dy muaj më parë, Banka e Shqipërisë ka hartuar një rregullore sipas të cilës, duhet që para se të miratojë të një kredi çdo bankë tregtare medoemos duhet të informojnë klientin mbi koston totale të saj.


Çfarë duhet të kemi parasysh kur aplikojmë për kredi

-Normën e interesit me të cilën banka na e ofron huanë

-Afati i maturimit dhe kostoja totale e kredisë që duhet paguar deri në shlyerjen totale të saj

-Nëse norma e interesit është fikse apo e ndryshueshme

-Cili është kolaterali që banka kërkon si kusht për të miratuar kredinë

-Nëse do të ketë ose jo kosto shtesë për kredimarrësin përveç pagesave të kësteve

-Mundësia e shlyerjes totale të kredisë pa komision shtesë para përfundimit të afatit të përcaktuar në marrëveshje

-Leximi me vëmendje i të gjitha kushteve të kontratës


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›