E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Ndarja e Kosovës do të ndryshonte kufijtë e 6 shteteve

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaron se bllokimi i rrugëve në veriun e Kosovës do të marrë fund dhe zbatimi i marrëveshjes me NATO-n për tejkalimin e situatës në atë pjesë të vendit nënkupton vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë Kosovën. Në intervistën dhënë “Zërit të Amerikës”, ai hodhi poshtë çdo mundësi të ndarjes së Kosovës, duke nënvizuar se çdo pretendim për ndryshim të kufijve të Kosovës, do të nënkuptonte ndryshim të kufijve të së paku gjashtë shteteve të rajonit të Ballkanit.

Zoti Kryeministër, një marrëveshje me forcat e NATO-s për tejkalimin e situatës së ditëve të fundit në veriun e Kosovës, nuk është përmbushur në pikën e saj të parë, që nënkupton heqjen e bllokadave nga rrugët. A jeni të shqetësuar për zbatimin e saj?

Mirëkuptimi i përbashkët mes qeverisë së Republikës së Kosovës dhe NATO-s është arritja më e fuqishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sepse nënkupton definitivisht respektimin e plotë të vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitetin mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që instalon NATO-n në kufi mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, më 25 korrik ka ndodhur ajo që do të duhej të ndodhte në qershor të 1999-s. Vendimi i qeverisë së Kosovës ka qenë vendim i drejtë, i ligjshëm, kushtetues, një vendim i domosdoshëm. Një vendim ky, i cili ka krijuar rrethanën e re, realitetin e ri, situatën e re, një kapitull të ri, atë të rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Sa i përket bllokadave, ne jemi të informuar, jemi duke e përcjellë situatën nga afër. Disa qytetarë serbë të Veriut ende janë të manipuluar nga strukturat kriminale, janë të ndikuar nga ta. Por dëshiroj të theksoj se pika 1 e marrëveshjes mes qeverisë së Republikës së Kosovës dhe NATO-s do të implementohet shpejt dhe bllokadat dhe bllokuesit i kanë orët e numëruara për hapjen e tyre. Në të kundërtën, qeveria e Republikës së Kosovës do të shfrytëzojë të gjithë kapacitetin e saj kushtetues dhe ligjor për hapjen e rrugëve.

Sot janë mbushur dy javë që kur ju urdhëruat njësitë e posaçme të policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare në Veri. A janë përmbushur synimet e këtij operacioni?

Synimi i parë ka qenë respektimi i plotë i vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për reciprocitet. Tani kemi në pikën 31, prezencën e NATO-s, prezencën e policisë së Kosovës, doganierëve të Kosovës dhe policisë së EULEX-it. Ndërsa në pikën 1, për shkak të rrethanave që u krijuan nga veprimet e dhunshme të strukturave kriminale, kemi instalimin e trupave amerikane. Do të thotë: në pikën 1 dhe 31 kemi një situatë të kufizuar ushtarake, që asnjë person nuk mund të kalojë pa u identifikuar, kjo po ndodh për herë të parë pas 12 vitesh. As edhe një person apo makinë, nuk mund të kalojë pa u legjitimuar për armë apo veprimtarinë e tij që zhvillon. Në anën tjetër, kontrabanda në pikat 1 dhe 31 është ndalur 100 për qind. Kemi filluar për herë të parë të vëmë rend dhe ligj edhe në pjesën më të largët të territorit të Republikës së Kosovës. Tani e gjithë zona kufitare kontrollohet, menaxhohet e monitorohet prej autoriteteve të NATO-s për herë të parë. Edhe rrugët dytësore, të cilat janë shfrytëzuar për kontrabandë, janë bllokuar dhe menaxhohen e kontrollohen prej autoriteteve të KFOR-it.

Zoti Kryeministër, zhvillimet e ditëve të fundit kanë ringritur çështjen që diskutohet tash e 12 vjet, atë të ndarjes së mundshme të Kosovës. Madje, këtë drojë e shprehu edhe shefi i diplomacisë së Kosovës. A mbetet i hapur ky rrezik?

Nuk ka rrezik për ndarjen e Kosovës. Ka pasur ide, qëllime, projekte, por edhe synime konkrete të Beogradit për ndarjen e Kosovës. Diçka e tillë nuk do të ndodhë. Tani kemi një realitet krejt të ri. Kemi forcën kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. E ritheksoj se jo vetëm si qëllim, por as edhe si ëndërr nuk mund të realizohet ndarja e Kosovës, siç ka pretenduar Beogradi. Por, ne kemi shfaqur edhe shqetësimin tonë dhe këtë e kemi konfirmuar me të gjitha autoritetet ndërkombëtare se, çdo pretendim për ndryshim të kufijve të Kosovës, do të nënkuptonte ndryshim të kufijve të së paku gjashtë shteteve në rajonin tonë. Dhe veriu i Mitrovicës, nuk është vetëm veri që i takon një problematike kosovare. Është një problematikë gjithë europiane, por mund të them edhe gjithë ndërkombëtare.

Marrë me shkurtime nga VOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›