E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtet, evidentohen shkollat që duhen mbyllur

11/07/2011  Inspektimet e kryera nga higjiena, ambiente të amortizuara dhe nivel i lartë lagështie

Shkolla “Ahmet Gashi”, dhe “Siri Kodra” në gjendje të rënduar, kërkohet mbyllja

Inspektimet e kryera në të gjitha shkollat, kopshtet dhe çerdhet e kryeqytetit kanë treguar se pjesa dërrmuese e tyre paraqiten me probleme të theksuara me higjienën, duke vënë shpeshherë dhe në rrezik shëndetin fëmijëve. Pas alarmit të lëshuar për kopshtet e çerdhet, është pohuar se dhe në shkolla, e veçanërisht në dy prej tyre, situata mbetet tepër kritike. Konkretisht, ekspertët e higjienës kanë pohuar se më e rënduar situata gjendet në dy shkolla që gjenden në qendër të Tiranës: “Siri Kodra” dhe “Ahmet Gashi”, të cilat rezultojnë jashtë çdo standardi për të zhvilluar mësim. Për këto të dyja është lënë edhe vendimi që kërkon mbylljen imediate të tyre, si dhe nisjen e punimeve për përmirësimin e kushteve. “Lagështira është në vlera tepër të larta nga norma që është e përcaktuar. Qarkullimi i ajrit është shumë i vogël. Të gjitha këto kanë impakt mjaft negativ te fëmijët. Duke parë këtë, kemi bërë disa matje në sezone dhe temperatura të ndryshme dhe kemi arritur në përfundimin që këtë vit shkollor shkolla “Siri Kodra” nuk do të hapet. Shkolla “Ahmet Gashi” është një shkollë tepër e amortizuar me bankat, tavolinat, mjetet mësimore, dyert e klasave, palestra”, ka deklaruar kryeinspektorja e higjienës në shkolla, Besa Shehu. Sipas saj, monitorime të vazhdueshme janë kryer edhe në shumë komuna të qarkut Tiranë, ku dhe janë lënë vendimet përkatëse për mbylljen e dy shkollave të tjera që gjenden në Bathore, së bashku me kopshtin, shkolla e Kodër Pezës. Niveli i lartë i lagështirës mbi normat e lejuara, mungesa e ambienteve, teksa dhe ato ekzistueset janë tepër të amortizuara, probleme me nyjet nëpër banja etj. kanë rezultuar të jenë dhe problemet më të shpeshta me të cilat përballen nxënësit gjatë vitit mësimor. “Për tre të Bathores, të Bërxullës, kopshtit dhe shkollës dhe për Kodër Kamzë tashmë kemi bërë vendimet e mbylljes dhe do t’i ndjekim hap pas hapi. Para fillimit të vitit shkollor, nëse nuk merren masa për riparim të gjendjes, nuk do të lejohen të hapen”, shton më tej Shehu. Sipas saj, përgjatë tre muajve kanë kaluar në sitë për plotësimin e kushteve higjienike të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme të qarkut Tiranë, 72 në qytet dhe 166 në fshatra, për të cilat janë lënë vendimet përkatëse që duhen zgjidhur gjatë muajve të verës nga pushteti vendor, në të kundërt nuk do të lejohet hapja e tyre në nisje të vitit të ri shkollor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›