KQZ shqyrton udhëzimet për dokumentet e kandidatëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrton projektudhëzimin “Për caktimin e rregullave për depozitimin dhe verifikimin e dokumentacionin të kandidimit dhe afatet për publikimin e listave të kandidatëve”.
Relacioni shoqërues i udhëzimit, që përfshin 12 nene, parashikon që partitë politike që do të regjistrohen si subjekt zgjedhor depozitojnë në KQZ listën e kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore, së bashku me dokumentacionin e përcaktuar, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve.
Udhëzimi përcakton që lista shumemërore e kandidatëve të partive politike që do të depozitohet në KQZ duhet të ketë renditje sipas rendit shifror, duke filluar nga numri 1 dhe duhet nënshkruar nga kryetari i partisë sipas modelit të miratuar nga KQZ. Në çdo rast të paktën 30 % e kandidatëve të listave shumëemërore dhe një në tre emrat e parë të listës duhet t’i përkasë secilës gjini.
Në rendin e ditës së mbledhjes së sotme është edhe shqyrtimi i projektvendimit “Për miratimin e rregullave për hedhjen e shortit për caktimin e anëtarëve që relatojnë kërkesat ankimore të regjistruara në KQZ”.