E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ “shtyn finalen e Top Fest

Titulli i këtij shkrimi duket pak si paradoksal, por ja që është mëse i vërtetë. Përveç protestave dhe reagimeve politike që ka sjellë numërimi i votave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, situata aspak e këndshme në vend po reflektohet edhe në hapësirat e tjera të jetës. Një rast evident është pikërisht shtyrja e finales së festivalit “Top Fest 8”, që do të organizohej këtë të dielë në Pallatin e Kongreseve! Nata finale e tij, 22 maji, kishte kohë që ishte anonçuar dhe në televizion i ishte bërë promocion i madh, jo vetëm atij, por edhe kalimit të konkurrentëve në “tapetin e kuq”, para nisjes së eventit! Gjithçka e vetëkuptueshme në fakt. Por si kurrë ndonjëherë, që një proces politik të ndikojë në një event muzikor, ka ndodhur që pikërisht ky shkak ta zhvendosë aktivitetin në një tjetër datë. Organizatorët (ashtu si gjithë njerëzit për hir të së vërtetës) kishin shpresuar se historia e numërimit të votave do të mbyllej shpejt dhe Pallati i Kongreseve do të ishte i lirë për këtë fundjavë, në mënyrë që artistët të bënin provat dhe të përgatiteshin për natën e madhe të ndarjes së çmimeve! Planet këtë herë kanë dështuar, për arsye politike. Dhe të mos mjaftojë kjo, edhe javës tjetër Pallati i Kongreseve nuk është i lirë dhe kështu që nata finale e Top Fest do të organizohet në datën 5 qershor. Sigurisht me shpresën që nuk do të ketë një tjetër anulim date. Nuk dihet sesi e kanë pritur vetë artistët pjesëmarrës këtë spostim të datës së finales, duke pasur parasysh, që edhe ata kanë një axhendë artistike. Edicioni i tetë i Top Fest, këtë vit ra në sy për mungesën e shumë emrave të muzikës, por nga ana tjetër, edhe pjesëmarrjen për herë të parë të hitbërësit Flori Mumajesi, si këngëtar (kompozimet e Mumajesit kanë qenë edhe më parë pjesë e këtij festivali)! Gjithashtu edhe e këngëtares Elvana Gjata, e cila me këngën “Me ty”, është një nga pretendentet kryesore të këtij edicioni! Vlerësimin e publikut deri më tani e kanë marrë edhe emra si grupi “Nrg Band”, këngëtaret Era Rusi e Flaka Krelani, grupi Kabala Mafia etj… Për herë të parë, nata finale e këtij edicioni, ashtu si edhe prezantimet e këngëve, do të drejtohet nga dy motrat Luana dhe Marina Vjollca!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›