E Shtunë, 31 Tetor 2026

Geri Çipi: Duam ndeshje model, publikun nuk e kemi ne në dorë

Ditët e fundit është aluduar shumë dhe janë thurur shumë skenare në lidhje me “hakmarrjen e egër” të vlonjatëve dhe me “driblimin” delikat të korçarëve. Por duket se as njëra dhe as tjetra nuk do të ndodhë. Të paktën përsa u takon kuqezinjve. Shefi i klubit të Flamurtarit, Geri Çipi, në intervistën dhënë për gazetën në linjë telefonike, ka pranuar se përsa i përket organizimit të ndeshjes, Flamurtari me rigorozitet ka bërë gjithçka është e nevojshme për një ndeshje korrekte. Por, po me aq rigorozitet ka deklaruar se “tifozët nuk harrojnë lehtë”, duke shtuar menjëherë se “policia do të jetë e gatshme të mbajë rendin në stadium”.

Zoti Çipi, këto ditët e fundit kemi dëgjuar shumë në lidhje me pritjen speciale që do t’u bëjnë vlonjatët korçarëve. Ju si shef klubi si do t’i komentonit këto zëra?

Që nuk ka asgjë të vërtetë. Klubi “Flamurtari” ka bërë gjithçka që ka në dorë për të organizuar një ndeshje model, sikundër kemi bërë gjatë gjithë kampionatit. Do të bëjmë çmos që të zhvillohet një takim i bukur dhe do t’i presim korçarët si miq.

Por është aluduar se pritja nuk do të jetë edhe aq “mikpritëse”…

Gazetat kanë folur shumë rreth kësaj, por e vërteta është kjo që po ju them unë. Flamurtari ka kontaktuar me policinë, prej nga ka marë përgjigjen pozitive për ruajtjen e rendit në stadium. Edhe parametrat e tjerë teknikë për zhvillimin e ndeshjes do të jenë “ok”. Kjo është detyra jonë. Pastaj se çfarë bëjnë tifozët, nuk është në dorën tonë pasi të gjithë jemi koshientë për atë që ka ndodhur në këtë sezon.

Çfarë nënkuptoni me këtë, që tifozëria do të jetë e paparashikueshme?

Ua thashë, ne si klub do të bëjmë çmos që ndeshja të zhvillohet në kushte optimale.

Po sot (dje), është aluduar se stadiumi “Flamurtari” do të mbyllë dyert për tifozerinë, pasi i druhet momentit të ceremonisë, ku do të dorëzohet edhe trofeu.

Jo, nuk është e vërtetë. Tifozëria do të jetë aty dhe do të na mbështesë në këtë ndeshje të fundit siç ka bërë në çdo ndeshje të këtij kampionati.

Tjetër element që shton dyshimet rreth kësaj sfide është edhe mosdeklarmi nga ana e FSHF-së në do të jetë Duka ai që do gtë doërzojë trofeun. Ju jeni në dijeni?

Federata nuk na ka kontaktuar për këtë detaj dhe të them të drejtën as nuk e kam idenë se cili do të jetë zyrtari që do të dorëzojë trofeun dhe nuk jam interesuar. Kjo çështje i takon FSHF-së, ne na takon të organizojmë ndeshjen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›