KQZ tani 6+1, Komisioni miratoi formulën
TIRANE- Komisioni i reformës zgjedhore miratoi sot me konsesusin e dy partive të mëdha formulën e përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Bashkëkryetari i këtij komisioni Fatmir Xhafaj tha pas përfundimit të mbledhjes se “u vendos përfundimisht që formula e përbërjes së KQZ-së të jetë me shtatë anëtarë, nga nëntë anëtarë që ka qënë deri më tani, ashtu sikurse ishte përcaktuar edhe në draftin e ekspertëve".
Sipas kësaj formule e cila do të përfshihet në kodin e ri elektoral KQZ do të përbëhet nga 7 anëtarë, jo 9 anëtarë. Mandati i cdo anëtari të KQZ-së nga 7 vjet do të bëhet 4 vjecar. Anëtarët e KQZ do të zgjidhen nga vetë parlamenti. Kryetari i KQZ-së zgjidhet në Kuvend me një procedurë të veçantë nga anëtarët e tjerë dhe do t’i përkasë maxhorancës, ndërsa nënkryetari zgjidhet në KQZ dhe do t’i përkasë opozitës. PD dhe PS do të kenë të sanksionuar në kod të drejtën për të pasur nga dy anëtarë të propozuar drejtpërsëdrejti prej tyre. Dy anëtarët e tjerë do të propozohen nga
deputetët e grupeve të tjera parlamentare, përkatësisht, njëri nga pala e opozitës dhe tjetri nga maxhoranca.
Kjo formulë është kundërshtuar nga partitë e vogla. LSI kishte paraqitur në komision disa amendime lidhur me institucionin zgjedhor por këto nuk u pranuan. Komisioni i posaçëm pritet që brenda kësaj jave të përfundojë miratimin e ligjit të ri për zgjedhjet, të cilin më pas do t'ia përcjellë komisionit parlamentar të Ligjeve, para kalimit në seancën plenare në Kuvend.
(s.g/BalkanWeb)