E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ të mos hapë kutitë, Gjata: Ankimimet vetëm në gjykatë

Çlirim Gjata thotë se nuk duhet të jetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ai që të vendosë për ankimimet dhe rihapjen e kutive, por gjykata.

"Të ndryshohet sistemi i konceptit të punës në këtë institucion. Nga një institucion që i pranon ankimet dhe gjithë kjo është thembra e akilit, të kthehet në një institucion administrativ i cili merret vetëm me përgatitjen e bazës materiale, shpërndarjen e saj,  përgatit zgjedhjet e kaq. Gjithçka tjetër të kalojë në Gjykatë. Edhe rezultati kur ankimohet, dhe pavlefshmëria, nga KZAZ të ankohet direkt te gjykata i cili kërkon pastaj një sistem të ri të administrimit gjyqësor për zgjedhjet", thotë Çlirim Gjata, ish-kryetar i KQZ-së, cituar nga “AS”.
 
Por si mund t’i administrojë një kolegj zgjedhor i vetëm problemet elektorale nëse partitë kërkojnë rinumërim të kutive në të gjithë qarqet e vendit. Çlirim Gjata thotë se krijimi i 6 kolegjeve të tilla do të bëjë të mundur shqyrtimin e çështjeve dhe nxjerrjen e fituesit të zgjedhjeve në kohë reale.

"Nëse shkoni në gjykatë mbaron shpejt, por një sistem i ri i administrimit gjyqësor, për çështjet zgjedhore, jo ky që është me një kolegj. Mund të ndahet të bëhet me gjashtë kolegje. Një kolegj për dy qarqe për shembull. Ky siç është por me disa gjykata", thotë Gjata.

Konsensusi politik në komisionin për reformën zgjedhore një muaj më parë ngeci tek kutitë dhe konkretisht në pikën 6 të nenit 116 të Kodit, ku flitet për rastet se kur partitë politike kanë të drejtë të hapin kutitë e materialeve të votimit. Një ditë më parë, bashkëkryetari Damian Gjiknuri deklaroi se Komisioni i Reformës Zgjedhore pritet të marrë një mandat tjetër dhe se puna sipas tij mund të përfundojë edhe brenda këtij sesioni parlamentar. /Start/

                                                                                             2012-06-15 17:05
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›