KQZ, testi për t’u bërë komisioner në zgjedhje
TIRANE- Komisioni Qëndror Zgjedhor do të miratojë nesër një projekt vendim në bazë të të cilit anëtarët e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve duhet t’i nënshtrohen më parë një testi. Në total janë 23 pyetje që do testojnë njohuritë e çdo kandidati lidhur me Kodin Elektoral dhe do të përgatiten nga KQZ. Koha në dispozicion për testimin do të jetë një orë dhe do kualifikohet ai që minimalisht do të sigurojë 50% të pikëve. Në bazë të projekt-vendimit që pritet të miratohet nesër nga KQZ-ja, pyetjet kryesisht janë përzgjedhur nga kapitulli i Kodit që bën fjalë për mënyrën e ngritjes dhe funksionimit të KZAZ-së
Numri i trajnuesve të zgjedhur për trajnimin e anëtarëve të KZAZ-ve dhe Grupeve të Numërimit të Votave (GNV-ve) do të jetë 66 (në përputhje me numrin e Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe Vendeve të Numërimit të Votave), ku secili trajnues do të zhvillojë programin e trajnimit, me dy seanca trajnimi në ditë, në ditë të ndryshme, me anëtarët e çdo KZAZ-je, pas emërimit të tyre ligjor. I njëjti kontingjent trajnuesish do të trajnojnë edhe numëruesit e grupeve të numërimit në vendndodhjen e Vendit të Numërimit të Votave, pas emërimit të tyre ligjor. Numri i trajnuesve të zgjedhur për trajnimin e anëtarëve të KQV-ve do të jetë 220, ku secili trajnues do të zhvillojë programin e trajnimit, kryesisht me anëtarët e katër Qendrave të Votimit.
Tetë janë kriteret bazë që ka përcaktuar KQZ-ja në procesin e përzgjedhjes së trajnuesve, nga të cilat veçojmë mosqenien anëtar i organeve të Policisë së Shtetit apo Shërbimit Informativ Shtetëror. Ndërkohë, kushtet e tjera janë arsimi i lartë, eksperienca si trajnues në procese zgjedhore, mosqenia i zgjedhur në organet drejtuese të partive politike si edhe në listat e kandidatëve për deputet. Gjithashtu, trajnuesit duhet të jenë me vendbanim brenda rrethit ku përfshihet ZAZ-ja, të mos jenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë si edhe të mos jenë dënuar administrativisht për shkelje të dispozitave, të cilat lidhen me zgjedhjet apo të jenë përjashtuar nga shërbimi civil.
(s.g/BalkanWeb)