E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ vendos: Arben Frroku në politikë, kandidat i PKD-së në Shkodër

ekstardim-frroku-vrasje-lamajTiranë- Arben Frroku, i dyshuari kryesor për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, është në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Shkodrës. Biznesmeni, që ndodhet në burg në Selanik të Greqisë, garon në këtë qark i dyti në listën e Partisë Kristian Demokrate, që drejtohet nga Dhimitër Muslia.

Lajmi konfirmohet lista shumëemërore e PKD e depozituar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku bie gjithashtu në sy edhe fakti se i vëllai i tij, Mark Frroku, figuron i pari në listë. Arben Frroku, që në momentin kur u vu në pranga si i dyshuar për vrasjen e Lamajt, kur ende nuk kishte kaluar as 24 orë nga ngjarja e rëndë, hodhi dyshime se prangosja e tij kishte prapavijë politike. Që atë kohë ai pretendonte se do të kandidonte nën siglën e Partisë Kristian Demokrate. Madje në një interviste për “Gazeta Shqiptare”, ai pati deklaruar se fushatën e tij e vazhdonte nga burgu. Fakti që biznesmeni Frroku ndodhet prapa hekurave, pas dyshimeve të forta për vrasjen e kryekomisarit me të cilin kishte pasur konflikte të mëparshme, nuk e pengon aspak për të qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë, pasi ai nuk është i dënuar dhe prezumohet i pafajshëm. Në një intervistë nga burgu “Dhiavata”, Selanik, Arben Frroku u shpreh se është pjesë e politikës. “Unë e vazhdoj politikën nga burgu, vijoj të bëj fushatën time”, – theksoi ai.

Partia Kristian De-mokrate e Shqipërisë, me kryetar Dhimitër Muslinë, është në koalicion para-zgjedhor me Partinë Socialiste. Në një reagim për mediat, pas arrestimit të Arben Frrokut, ndër të tjera Muslia deklaroi se partia e tij ka qenë prezente në koalicionin e majtë, pasi e sheh rotacionin politik në kushtet aktuale, një domosdoshmëri. Biznesmeni i njohur në vend, për shkak se zotëron disa kompani si dhe është president i klubit sportiv “Tërbuni”, ishte përplasur fort me Dritan Lamajn kur viktima drejtonte Komisariatin nr.6 në Tiranë. Përplasjet mes tyre, sipas organit të akuzës, janë dhe motivi i vrasjes. Hetimet për Frrokun vijojnë ende.

REKURSI
Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë për Arben Frrokun, pasi dyshohet për akuzën e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda nuk e mori në shqyrtim apelin e bërë nga avokati i Frrokut, me argumentin se mbrojtësi ligjor nuk legjitimohet, çka i hapi rrugë rekursit në Gjykatën e Lartë. Duke paraqitur të njëjtat argumente si në krye të herës, avokati kërkon nga gjykata supreme prishjen e vendimit për caktimin e masës së sigurisë, çka do t’i hapte rrugë lirimit të menjëhershëm të biznesmenit Frroku. Kryekomisar Dritan Lamaj u ekzekutua mbrëmjen e 24 shkurtit 2013 në zonën e “Vasil Shantos” në Tiranë, pak metra larg shtëpisë së tij. Dy persona që udhëtonin me një makinë tip “BMW”, që rezultoi të ishte vjedhur në Durrës, e qëlluan për vdekje me armë kallashnikov. 24 orë pas vrasjes së kryekomisarit, policia greke arrestoi në një hotel në Selanik, Arben Frrokun dhe Jak Jakun, si të dyshuar për ngjarjen. Biznesmeni Frroku kishte udhëtuar drejt Greqisë natën e vrasjes së Lamajt dhe sipas prokurorisë, ai është i dyshuari kryesor për krimin, për shkak të përplasjeve që ka pasur me zyrtarin e lartë të policisë, në kohën kur i ndjeri drejtonte Komisariatin nr.6 në Tiranë.

/Gazeta Shqiptare/Balkanweb/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›