Gjakmarrja në Lezhë, 25 fëmijë të ngujuar dhe pa shkollë
Gjakmarrja ngujon çdo vit shumë familje në Qarkun e Lezhës. Nga 30 që ka qenë ky numër në 2012-ën, këtë vit janë 35 familje në ngujim. Përveç burrave që qëndrojnë të mbyllur, janë 25 fëmijë në moshë shkollore që janë të detyruar për shkak të Kanunit të mos shkojnë dalin nga shtëpia. Ndërsa 35 fëmijë të tjerë kanë mbetur jetimë, pas vrasjes së baballarëve për shkak të gjakmarrjes. “Në rrethin e Lezhës si qytet dhe si rreth i lakuar nga zona verilindore ka krijuar mjaft probleme nga të ardhurit ku ligji, shteti nuk ushtron dot siç duhet autoritetin e tij, aty mbeten të konfliktuara një sërë familjesh për të njëjtën pronë”, tha Pjetër Gjoka, kryetar i Pajtimit të Gjaqeve, Lezhë. Këto shifra vijojnë të rriten duke pasur parasysh që vetëm në 10 ditët e fundit në Qarkun e Lezhës në tre ngjarje të ndryshme janë vrarë 4 persona. Një vrasje ka qenë në Torovicë për gjakmarrje, një në Sanxhak të Kurbinit për hasmëri dhe së fundmi 2 në Gurëz të Kurbinit për konflikte pronësie. Thuajse në të gjitha rastet, edhe pse autorët e vrasjeve janë prangosur nga policia, konflikti nuk është mbyllet aty, pasi familjet e autorëve të vrasjeve dhe të viktimave automatikisht në bazë të Kanunit janë në gjak me njëra-tjetrën.
Precedenti në 2011 në banesën e Sokol Sana
Më 7 dhjetor të 2011 në derën e banesës të shtetasit Sokol Sana është vënë një eksploziv nga persona të panjohur. Sokol Sana jetonte në rrugën Niko Avrami, pallati 21, shkalla e dytë kur u hodh eksplozivi që fatmirësisht nuk solli pasoja të rënda njerëzore. Sipas dyshimeve ngjarja mund të jetë bërë për gjakmarrje. Por edhe pse kanë kaluar dy vite nga ngjarja, ajo ende nuk është zbardhur, ndërsa Sokol Sana i rrezikohet sërish jeta. Pasi nuk dihet kush e ka vënë eksplozivin në derë.