E Diel, 1 Nëntor 2026

Studimi i INSTAT: 54 mijë fëmijë në punë të rënda fizike

Puna e femijeveFëmijët punojnë në tregti, bujqësi por dhe në miniera dhe ndërtim
Ata janë të vegjël por me një fëmijëri të lënë përgjysmë. Kanë harruar të luajnë para pallatit me shokët e tyre, të hanë një akullore apo të kenë një lodër të tyren, dhe kjo vetëm për të punuar dhe ndihmuar veten dhe familjet e tyre të varfra. Në Tiranë, por jo vetëm, nëse ulesh për të pirë një kafe sheh plot vogëlushë të moshës 5 apo 6 vjeç që të afrohen për të shitur bajame, çakmakë, stilolapsa e lloj-lloj sendesh të tjera. Kanë braktisur kopshtin, shkollën e çdo aktivitet tjetër që i takon një fëmije për të punuar në një moshë kaq të vogël. Këta janë vetëm një pjesë e fëmijëve të punojnë, por ka edhe të tjerë, që janë bërë pjesë e minierave dhe sektorit të ndërtimit në një moshë kaq të re, kur jo vetëm ligji, por as vetë natyra nuk e pranon që ata të bëjnë punë të rënda fizike e të vihen përballë rreziqeve që të kushtojnë edhe jetën.
Studimi
Një studim i fundit i INSTAT tregon se në Shqipëri zyrtarisht janë 54 mijë fëmijë të moshës 5 deri në 17 vjeç që punojnënë sektorë të ndryshëm. Madje një pjesë e tyre punojnë edhe në miniera apo ndërtim, ndonëse këto dy sektorë shoqërohen me rreziqe dhe punë shumë të rënda fizike. Studimi i INSTAT tregon se jane 7.7% e fëmijëve shqiptarë të moshës 5-17 vjeç, në të gjithë vendin, të cilët rezultojnë të punësuar në bujqësi, tregti, ndërtim, miniera apo edhe në shitje. Por problem i madh, mbeten orët e gjata të punës dhe kushtet e vështira, me të cilat këta fëmijë përballen çdo ditë për të siguruar të ardhura minimale për të jetuar.
Sektorët
Studimi evidenton se  2.5 % e këtyre fëmijëve që janë meshkuj, punojnë në ndërtim dhe miniera, me orë të zgjatura dhe kushte aspak normale. Ndërsa 2.7 % punojnë në treg apo në rrugë, ku u duhet të përballen çdo ditë me temperaturat ekstreme të stinëve, por edhe mes tymit, pluhurit e ndotjes.
Braktisja e shkollës
Një pjesë e madhe e këtyre fëmijëve janë shkëputur nga shkolla, dhe punojnë me orët të zgjatura. Sipas ligjeve shqiptare fëmijët e moshës 5 deri në 13 vjeç, nuk duhet të punojnë asnjë orë në javë, por të punësuarit në këtë moshë përbëjnë gati 28.5 % të totalit të fëmijëve që punojnë. Të ndarë sipas qarqeve studimi i INSTAT tregon se 28% e fëmijëve që punojnë në Shqipëri janë në qarkun e Elbasanit, 19% në qarkun e Korçës, 13% në qarkun e Shkodrës, 9% në qarkun e Tiranës. Ndërkohë një pjesë e madhe e fëmijëve janë dëmtuar gjatë qëndrimit në punë dhe manifestojnë lodhje dhe sëmundje të shumta ta ardhura si pasojë e punëve të rënda, jo për moshën e tyre.

Të dhënat e studimit për fëmijët
7.7 % e fëmijëve të moshës 5-17 vjeç punojnë
2.5 % e tyre bëjnë punë të rënda në ndërtim dhe miniera
2.7 % punojnë në treg ose duke shitur në rrugë
28 % e fëmijëve punojnë në qarkun e Elbasanit
13 % janë të punësuar në qarkun e SHkodrës
9 % rezultojnë në punë në qarkun e Tiranës

Përplasje shifrash

CRCA (Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve) raporton se janë mbi 50 mijë fëmijë të moshës së arsimit të detyruar në Shqipëri të cilët shfrytëzohen për punë familjare, e dhënë kjo që mbështetet edhe nga studime të UNICEF apo edhe ILO / IPEC. Ndërkohë ISHP-ja deklaroi përpara pak kohësh se mbi 133 mijë fëmijë shfrytëzoheshin për punë, duke përfshire këtu të gjitha llojet e punëve. Po ti shikosh me vëmendje këto të dhëna kupton se mbi 10 pë qind e fëmijëve në Shqipëri janë të përfshire në punë. Për sa i përket zgjidhjes se problemit, CRCA prej kohesh i ka propozuar Qeverisë dhe institucioneve të saj një sërë zgjidhjesh: së pari Qeveria ka për detyrë që të krijojë së pari Agjencinë e Mbrojtjes dhe Kujdesit Ndaj Fëmijëve, një tip agjencie qeveritare, e cila kujdeset dhe i përgjigjet rast pas rasti çdo problemi që kanë fëmijët; së dyti CRCA ka sugjeruar që të ngrihet Fondi i Fëmijëve, i cili duhet tiu vij në ndihmë të gjithë fëmijëve që kanë probleme ekonomike, sociale dhe arsimore; së treti, hapja e mensave të shkollave, ku fëmijët me probleme ekonomike mund të konsumojnë të paktën një vakt falas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›