E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ vendos largimin e forcave të rendit nga ambientet e tij

26/05/2011  Komisioni vendosi largimin e uniformave blu pas “pushtimit” që i bëri opozita

Ristani: Ecuaria e aktivitetit të këtij institucioni është rikthyer në normalitet

Në mbledhjen e djeshme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi largimin e efektivëve të policisë nga ambientet e brendshme dhe të jashtme të KQZ-së. Pas përfundimit të shqyrtimit të kërkesave ankimore të disa partive politike mbi procesin zgjedhor të 8 majit ishte vetë kryetari i këtij komisioni Arben Ristani që deklaroi se forcat e rendit u thirrën me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shmangien e incidenteve të mundshme që mund të shkaktonte procesi i certifikimit të shpalljes së kreut të ri të Bashkisë së Tiranës. “Forcat e rendit u thirrën me kërkesën tonë dhe tani do të marrim një vendim që të largohen nga ambientet e brendshme dhe të jashtme të Komisionit Zgjedhor”, - u shpreh Ristani. Në vendimin e djeshëm të KQZ-së bëhet me dije se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me vendimin nr. 653 të datës 17.05.2011 vendosi të thërrasë forcat e Policisë së Shtetit për të rivendosur rendin dhe qetësinë në ambientet e brendshme dhe të jashtme të KQZ-së”. Me rivendosjen e rendit në këto ambiente dhe duke qenë se tashmë ecuria e aktivitetit të këtij institucioni është rikthyer në normalitet, KQZ-ja çmon se forcat e rendit tashmë janë të panevojshme. “Nuk është më e nevojshme prezenca e mëtejshme e forcave të Policisë së Shtetit në ambientet e brendshme dhe të jashtme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, - thuhet në vendimin e marrë dje me 4 vota pro nga anëtarët e KQZ-së. Protestat 5-ditore të deputetëve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste para dyerve të KQZ-së, të cilët kundërshtonin vendimin e këtij komisioni për shqyrtimin dhe rivlerësimin si të vlefshme të fletëve të votimit të hedhura aksidentalisht nga votuesit më 8 maj, detyruan kreun e kQZ-së që t’i kërkojë ndihmë Policisë së Shtetit për të garantuar ecurinë e punimeve të Komisionit, si dhe për të siguruar vetë jetën e anëtarëve dhe punonjësve të administratës.

Mbledhja e djeshme

Në mbledhjen e djeshme të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijoi me shqyrtimin e kërkesave ankimore të partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore të 8 majit. Deri tani nga 100 ankesa të depozituara në KQZ nga ana e subjekteve zgjedhore janë shqyrtuar rreth 60. Kështu, KQZ-ja mori në shqyrtim kërkesën ankimore të depozituar nga Partia Socialiste, e cila i kërkon këtij komision shpalljen e pavlefshme të votimit në disa qendra votimi të KZAZ-së nr. 63, që i përket komunës Qendër Vlorë. Më konkretisht, PS-ja kërkoi dje shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve, pasi vëren mospërputhje të zgjedhësve me numrin e fletëve të votimit në kutitë e votimit në qendrat e votimit nr. 4414, 4414/1, 4422, 4425, 4424 dhe 4420 të kësaj KZAZ-je.

Qeveria shpërblen policët që mbrojtën KQZ

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e djeshme vendosi të japë një shpërblim për policët që u angazhuan në ruajtjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë ditëve të protestës së Partisë Socialiste. Shuma e miratuar nga qeveria prej 32 mijë lekësh të reja për çdo efektiv policor është masa e shpërblimit e përcaktuar në një vendim të posaçëm në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Vendimi saktëson se propozimi për dhënien e shpërblimit është bërë nga vetë ministri i Brendshëm Bujar Nishani. Kështu, efektivët e Policisë se Shtetit do të përfitojnë jo vetëm shpërblimin në vlerën e mësipërme, por dhe orët shtesë të shërbimit në ruajtje të KQZ-së gjatë procesit të rinumërimit të votave të qarkut të Tiranës, të cilat u gjendën në kutitë e gabuara, si dhe gjatë protestave të opozitës. Nga ana tjetër Këshilli i Ministrave në vendimin e tij të miratuar dje ka parashikuar që efekti financiar për shpërblimin e punonjësve të policisë do të përballohet nga buxheti i shtetit i këtij viti dhe ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Policia e Shtetit u angazhua në mbrojtjen e KQZ-së për 8 ditë, që prej zaptimit të sallës së mbledhjeve nga deputetët socialiste të hënën e 17 majit.

PD konteston rezultatin në komunën Velipojë. KQZ s’keni prova

KQZ në mbledhjen e djeshme shqyrtoi kërkesën ankimore të depozituar nga Partia Demokratike, e cila i kërkoi këtij komisioni shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në qendrën e votimit nr. 0324 të KZAZ-së nr. 41 në komunën e Velipojës të qarkut Shkodër. Nga ana e saj PD-ja kundërshton vendimin e marrë nga kjo KZAZ për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për komunën e Velipojës si dhe kundërshton mosmarrjen e vendimit prej kësaj KZAZ-je. Në relacionin e evidentimit të shkeljeve dhe pasojave të tyre PD-ja thekson: “Në një qendrën e votimit me nr. 324 dhe numër zgjedhësish rreth 700 është evidentuar gjatë procesit të numërimit, konkretisht të kontrollit të kutisë së materialeve zgjedhore të saj se numri i fletëve të papërdorura i shprehur në procesverbal PV-KQV-08 nuk përputhej me numrin e fletëve të marra në dorëzim nga kjo KQV. Ne mendojmë se zhdukja e këtyre fletëve të votimit apo përdorimi i tyre për të prodhuar një rezultat të ndryshëm nga ai që kanë dhënë qytetarët e asaj zone, ka ndikuar në ndryshimin e vullnetit të këtyre zgjedhjeve e për pasojë ndarjen e mandateve për kryetar komune.” Por pavarësisht pretendimeve të PD-së KQZ-ja vendosi mospranimin e kësaj kërkese si të pabazuar në prova.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›