E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukan: Procesi i votimit i qetë dhe i rregullt

26/05/2011  Zgjedhjet dhe situata postzgjedhore në Shqipëri temë e debatit të djeshëm në PE

“Pjesëmarrja e lartë tregoi se njerëzit kujdesen dhe e duan të ardhmen e tyre”

Eurodeputetët e Parlamentit Europian debatuan dje mbi raportin e delegacionit ad hoc, që ndoqi nga afër procesin e votimit më 8 maj në Shqipëri. Gjatë raportimit kreu i delegacionit të PE-së për vendet e Europës Juglindore Eduard Kukan, që vizitoi Shqipërinë nga data 6 deri në 9 maj, e vlerësoi të qetë dhe të rregullt ditën e votimit, ku prezenca e ndërkombëtarëve ishte jetike. Por Kukan theksoi se “pas ditës së votimit pati një përkeqësim të situatës”. Më tej ai iu referuar situatës postzgjedhore, ku theksoi se përkeqësimi erdhi nga kërkesa e kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha për rinumërimin e votave të hedhura gabimisht në kutitë e gabuara. “KQZ-jari vendimin 4 me 3 që shkaktoi debate. Situata politike u tensionua shumë, sidomos pas vendimit për të rinumëruar votat kur opozita nisi protestat dhe u largua nga Parlamenti”, deklaroi Kukan, duke shtuar se “delegacioni i BE-së dhe 3 ambasadorët, ai i SHBA-ve, BE-së e OSBE-së, po vazhdojnë të bëjnë diplomaci me dyer të mbyllura me liderët e dy partive politike, duke u kërkuar vetëpërmbajtje”. Kukan theksoi gjithashtu se procesi zgjedhor nuk ka përfunduar akoma dhe vendimi përfundimtar do të jepet nga Kolegji Zgjedhor. “Të gjithë e dimë se situata në Shqipëri për një kohë të gjatë është përfshirë nga mosbesimi politik dhe polarizimi politik. Pjesëmarrja e lartë tregoi se njerëzit kujdesen dhe e duan të ardhmen e tyre. Këto zgjedhje duhej të na kishin treguar maturi politike dhe aftësinë e tyre për të zhvilluar zgjedhjet sipas standardeve. Fatkeqësisht, fatkeqësisht impresioni im është që përkeqësimi i situatës në zgjedhje na tregoi edhe një herë problemet e gjata në politikë e në proceset në Shqipëri. Kjo është një paaftësi për të pasur një dialog politik dhe për të gjetur një zgjidhje konsensuale dhe për të rënë dakord në parimet kryesore demokratike.” Ndërsa raportuesi për Shqipërinë në PE, Nikolaos Çountis, që gjithashtu ishte pjesë e delegacionit, bëri thirrje për ndërhyrje për zgjidhjen e situatës së tensionuar, duke paralajmëruar se mund të krijohet një situatë shpërthyese.

Dyshimet

“Kam frikë se zgjedhjet nuk do të ndihmojnë Shqipërinë për të tejkaluar stanjacionin politik. E di se dukem pesimist, por do të isha më i lumturi në botë nëse do të gabohesha dhe unë i uroj më të mirën Shqipërisë. Stabiliteti apo destabiliteti i vendit do të jenë në duart e partive politike dhe liderëve politikë. Në këtë situatë PE-ja duhet të flasë në një zë dhe ky zë duhet të jetë i koordinuar si në Komisionin Europian dhe në Këshillin Europian dhe ne duhet të kemi parasysh interesin e vendit dhe njerëzit e tij, sepse jam i bindur se populli shqiptar meriton shumë më tepër”, - deklaroi Kukan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›