E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesazhi: procesi zgjedhor s’ka mbaruar

26/05/2011  Presidenti sërish në takim me tre ambasadorët perëndimorë

Takimet e trojkës diplomatike u përqendruan sërish tek institucioni i kreut të shtetit. Kështu, gjatë ditës së djeshme tre ambasadorët perëndimorë të akredituar në Tiranën zyrtare vijuan të jenë aktiv në bisedimet për procesin paszgjedhor dhe situatën politike në vend. Në funksion të klimës politike të krijuar së fundi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian Etore Sekui si dhe kreu i OSBE-së në Tiranë Eugen Volfart zhvilluan gjatë paradites së djeshme një takim pune me presidentin Bamir Topi.

Takimi

Zyra e shtypit pranë institucionit të Presidencës bëri me dije përmes një njoftimi për shty se biseda mes tre ambasadorëve dhe kreut të shtetit Bamir Topi u përqendrua në situatën paszgjedhore. Sipas zëdhënëses së Presidentit Mimoza Koçiu, ambasadorët Arvizu, Sekui dhe Volfart u shprehën njëzëri se “ndërsa procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar, respektimi i kornizës ligjore është një domosdoshmëri tashmë në kushtet e ankimit të rezultatit nga opozita në Kolegjin Zgjedhor”.

Deklarata

Nga ana e tij Presidenti, pasi ndau shqetësimin e njëjtë lidhur me situatën paszgjedhore dhe efektet e saj, duke pasur parasysh edhe deklaratën e përbashkët të baroneshës Eshton dhe komisionerit Fyle, vlerësoi kontributin e vyer dhe rolin e jashtëzakonshëm të ambasadorëve Arvizu, Sekui dhe Volfart për kapërcimin e kësaj sfide. “Procesi zgjedhor ende nuk ka mbaruar, prandaj palët politike të përfshira duhet të vetëpërmbahen nga shpallja e parakohshme e rezultatit. Kolegji Zgjedhor gëzon mbështetjen e plotë institucionale të institucionit të Presidentit të Republikës për një proces të pavarur, transparent, me integritet të lartë moral e profesional, të drejtë dhe të lirë nga ndikimet dhe ndërhyrjet politike”, - është shprehur Presidenti Topi gjatë bisedës me ambasadorët. Gjithashtu, po në këtë linjë, kreu i shtetit ka theksuar faktin se “është koha që të funksionojë ligji dhe shteti i së drejtës dhe të mbizotërojnë vetëm vlerat e kulluara dhe standardet e vërteta të drejtësisë dhe të dëgjohet vetëm zëri i institucioneve kompetente ligjore kushtetuese e demokratike, sepse kjo do t’u shërbente më së miri interesave madhore dhe stabilitetit afatgjatë të Shqipërisë dhe do të përmbushte aspiratat integruese të shumëpritura e të merituara të popullit shqiptar”.

Takimi Topi–Petroviç

Presidenti Bamir Topi priti dje zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës Sllobodan Petroviç së bashku me delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë, në përbërje të të cilit ishin përfaqësues nga të gjitha institucionet e Kosovës. Gjatë këtij takimi kryetari i shtetit shqiptar nënvizoi rëndësinë e kësaj vizite për zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve tona, posaçërisht mes strukturave respektive, kompetente në administrimin e pushtetit vendor. Gjithashtu ai theksoi faktin se Kosova po hedh hapa të sigurt përpara në konsolidimin e mëtejshëm të shtetit të pavarur, sovran dhe multietnik si dhe të institucioneve demokratike.

Ndërsa zëvendëskryeministri Petroviç, pasi bëri një panoramë të detajuar të zhvillimeve më të fundit në Kosovë dhe të sfidave me të cilat përballet qeveria ku ai bën pjesë, nënvizoi faktin se “dy vendet tona gëzojnë një bashkëpunim dhe marrëdhënie shumë të mira, që shërbejnë për përmbushjen e qëllimeve integruese në strukturat euroatlantike”.

Rama e Basha për rezultatin

Të dy kandidatët për kryetar bashkie të Tiranës, përkatësisht Edi Rama për PS-në dhe Lulzim Basha për PD-në, kanë reaguar një ditë pas shpalljes së rezultatit për këtë post nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nga ana e tij kryetari i PS-së Edi Rama deklaroi se nuk do të njohë rezultatin e Komisionit Qendror Zgjedhor për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe do të ndjekë të gjitha rrugët demokratike e ligjore për ta kundërshtuar atë. “Nuk njohim rezultatin e nuk kemi për ta njohur, pasi është fryt i kanibalizmit elektoral i Saliut, që u materializua në KQZ, e jemi të sigurt se do të rrëzohet në tavolinën e drejtësisë”, - u shpreh Rama lidhur me këtë çështje. Ndërkohë që kandidati demokrat Basha në reagimin e tij informoi se procesi duhet të vazhdojë në përputhje me ligjin dhe me besim të plotë tek institucionet. “Pasi të jenë shqyrtuar të gjitha kërkesat nga të gjitha palët do të kryhet certifikimi përfundimtar i rezultatit. Më pas ne të gjithë duhet të bashkohemi për ta çuar Tiranën përpara, shumë përpara, ashtu siç e meriton”, - tha Basha.

Zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kryeministri

Grosruk uron Berishën për fitoren më 8 maj

Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grosruk, uroi kryeministrin Sali Berisha për fitoren e Partisë Demokratike dhe të koalicionit që ai drejton në zgjedhjet 8 majit, në veçanti për fitoren e kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulëzim Basha në Bashkinë e Tiranës. Një urim të tillë zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së e përcolli gjatë takimit të posaçëm me kreun e ekzekutivit Berisha. Gjithashtu Grosruk dhe delegacioni që e shoqëronte, i cili përbëhej nga një numër profesionistësh, intelektualësh të fushave të ndryshme dhe përfaqësues të biznesit austriak vlerësuan arritjet e jashtëzakonshme të reformave të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe dhe u interesuan për mundësitë e shumta që Shqipëria ofron për biznesin e huaj dhe investimet.

Nga ana e tij kryeministri Berisha, pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, e falënderoi zotin Grosruk për interesin e vazhdueshëm që ai tregon ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar, si dhe kontributin e vazhdueshëm që ai ka dhënë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por dhe në promovimin e imazhit të Shqipërisë në Austri dhe në Evropë dhe në nxitjen e interesit të investitorëve e publikut austriak ndaj vendit tonë. Gjithashtu kryeministri Berisha i njohu miqtë austriakë me potencialet e mëdha që Shqipëria ofron në fusha si ajo e turizmit, e prodhimit të energjisë elektrike, nga burimet ujore, ndërtimin e infrastrukturave të rëndësishme si dhe me klimën më të favorshme që qeveria shqiptare ka ndërtuar gjatë kësaj periudhe për biznesin dhe investimet, si regjistrimi on-line përmes sistemit One Stop Shop, e-taksa e-dogana, prokurimet elektronike etj. Po kështu në takim u vlerësua bashkëpunimi i shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Austrisë dhe qeverive të dy vendeve në shumë fusha, si dhe u vlerësua fakti që investimet austriake zënë vendin e tretë për sa u përket investimeve të huaja në Shqipëri në sektorë shumë të rëndësishëm, si ai bankar, hoteleri turizëm etj.

PS për fitoren

Kryetari i PS-së Edi Rama tha se zgjedhjet janë fituar nga koalicioni “Aleanca për të Ardhmen” dhe nga Partia Socialiste. “Kur themi këtë, i referohemi këndvështrimit që ka bota demokratike kur bën zgjedhje vendore dhe kur llogarit krejt ndryshe nga Saliu, që së fundi ka përmbysur dhe aritmetikën e jo më pastaj shifrat që kanë të bëjnë me standardet ekonomiko-shoqërore të vendit. Zgjedhjet i kemi fituar ne, sepse jemi mandatuar të qeverisim një pjesë dy a tri herë më të madhe sesa pjesa që do qeverisin të mandatuarit e kundërshtarëve”, - vuri në dukje Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›