E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS i rikthehet KQZ-së, dërgon ankimimin për aktin e numërimit

26/05/2011  Ligjin lejon që kolegji të shprehet dy herë për të njëjtën çështje

Partia Socialiste pritet të dërgojë në KQZ një tjetër ankesë në lidhje me aktin që mori në shqyrtim numërimin e fletëve të hedhura gabimisht në kutitë e gabuara. Megjithëse ka dërguar një herë një kërkesë në Kolegj për të njëjtën çështje, sërish socialistët do të mundohen duke shtuar sipas burimeve në PS dhe fakte të reja, që sipas tyre tregojnë se akti i ndërmarrë është i paligjshëm. Në fakt, ligji e kërkon që për çdo vendim të KZAZ-së, siç ishte në rastin e këtij akti KQZ-ja, kërkesa ankimore të shkojë fillimisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe më pas në instancën e fundit, që është Kolegji. Por kjo nuk e ndalon këtë të fundit në bazë të ligjit të shprehet dy herë për të njëjtën çështje.

Akti

Me sa duket, akti që u kundërshtua ashpër nga PS-ja, sërish do të kalojë në analizën e KQZ-së për shqyrtim. Më së shumti duket si një tentativë e socialistëve për të zvarritur procesin dhe për të ingranuar dy herë Kolegjin për t’u shprehur në lidhje me këtë çështje përpara se të marrë një vendim përfundimtar në lidhje me vendimin e KQZ-së për futjen në rezultat të fletëve të hedhura aksidentalisht në kutitë e votimit. Duket se socialistët po ezaurojnë të gjitha rrugët ligjore ndaj këtij vendimi, i cili, kur të merret në shqyrtim nga ana e KQZ-së, pritet të hapë debate të tjera. Nga ana tjetër, deri tani PS-ja është përqendruar në pritje të vendimit të Kolegjit se kujt do t’i japë mandatin, por ka marrë vendim për bojkotimin e Kuvendit dhe ka bërë jo pak deklarata të ashpra në lidhje me këtë çështje. Socialistët pretendojnë se numërimi i votave të hedhura aksidentalisht në kutitë e gabuara është i jashtëligjshëm, por shumica në KQZ nuk mendonte kështu. Pas marrjes në shqyrtim të këtyre fletëve, rezultati u përmbys në 81 vota në favor të kandidatit të “Aleancës për Qytetarin”, rezultat i cili sipas PS-së është i papranueshëm, megjithëse votat e hedhura kryesisht në kutitë për kryetarët e njësive bashkiake kanë rezultuar vota të vlefshme. Madje, në këto kuti u gjetën dhe 81 fletë votimi në favor të kandidatit Edi Rama.

Situata

Ditën që do të hynte për diskutim në KQZ ky vendim, deputetët socialistë bllokuan vendimmarrjen e duke hyrë në ambientet ku zhvilloheshin mbledhjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe duke hedhur fjalë fyese në adresë të kryetarit të këtij institucioni Arben Ristani. Të nesërmen Ristani me anë të një shkrese dërguar policisë kërkoi moslejimin e personave të paautorizuar të hynin në ambientet e KQZ-së. Pamja që shkaktoi ky urdhër i Ristanit ishte e pazakontë. Në pamjet që ofronin televizionet shikoje deputetë të PS-së që fluturonin sipër kokave të policëve. Gjithashtu deputetët e PS-së, por dhe vetë kryetari Rama, bënë thirrje për revolta popullore dhe anarki. Kjo situatë erdhi në rënie, si pasojë e mospërgjigjes nga ana e qytetarëve, por dhe ndërhyrjeve të ndërkombëtarëve për qetësi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›