17 shkurti ynë - Shqipëria, edhe formalisht në NATO

Mbyllet procesi i ratifikimit të protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në fillim Holanda e në fund edhe Greqia, mbrëmë ka marrë fund procesi i ratifikimit të protokollit dhe vendi ynë konsiderohet edhe formalisht anëtar i aleancës më të madhe ushtarake të botës. Në samitin e prillit, në Strasburg dhe Këln, vendi ynë do regjistrojë daljen përfundimtare nga harta e tranzicionit dhe kalimin tek lista e vendeve që prodhojnë mirëqenie, stabilitet e siguri, për rajonin dhe Evropën
TIRANE - Senati i Holandës dhe parlamenti i Greqisë votuan me shumicë votash ‘pro’ ratifikimit të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Pas ratifikimit që i bëri Dhoma e Përfaqësuesve të Holandës edhe Senatorët holandezë e votuan atë dje me votën ‘pro’.
Me këtë rast, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i ka dërguar zonjës Yvonne E.M.A. Timmerman-Buck, Presidente e Senatit të Holandës, një letër falënderimi për impenjimin e saj personal, për përfshirjen në axhendën e Senatit dhe aprovimin e këtij Protokolli, brenda një kohe të shkurtër. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve, kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për senatorët holandezë, për mbështetjen dhe besimin e tyre, ndaj përpjekjeve të Shqipërisë, për të merituar anëtarësimin në NATO.
Mbylljen e procesit të ratifikimeve të protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO e përshëndeti edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë “Vendimet e Senatit të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta dhe të parlamentit të Greqisë, shënojnë përfundimin e procedurave të ratifikimit të protokolleve nga parlamentet e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s, duke i hapur rrugë kështu anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Aleancë, në Samitin e ardhshëm të Strasburg-Këlnit”, thuhet në përshëndetjen e Ministrisë së Jashtme.
“Përfundimi i këtij procesi historik është shprehje e vlerësimit të partnerëve tanë për reformat e gjithanshme të ndërmarra nga Qeveria shqiptare dhe transformimet e padiskutueshme që ka përjetuar Shqipëria këto vitet e fundit. Gjithashtu, ky hap shpreh besimin e vendeve anëtare të Organizatës në aftësinë e Shqipërisë për të qenë një aleat i denjë dhe i besueshëm, me kapacitetet e nevojshme për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në sistemin e sigurisë kolektive. Duke përfituar nga ky rast i shënuar, Ministria e Punëve të Jashtme siguron vendet anëtare të NATO-s se Shqipëria është e gatshme për tu përballur me përgjegjësitë dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në këtë Aleancë dhe është plotësisht e vendosur për të vijuar procesin e reformave në drejtim të konsolidimit të mëtejshëm institucioneve dhe shtetit ligjor, me qëllim përmbushjen e standardeve të nevojshme që kërkon integrimi Euroatlantik”, thuhet më tej, në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Vendimi i Dhomës së Përfaqësuesve më parë dhe ai i Senatit holandez dje, dhe nga ana tjetër votimi i parlamentit grek mbrëmë vonë, mes debateve ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, ligjvënësit grek në votuan me shumicë dërrmuese votash “pro” aderimit të plotë të Shqipërisë në Aleancë.
Kështu protokolli është nënshkruar nga 26 vendet anëtare të Aleancës së Madhe të Atlantikut të Veriut, duke i hapur rrugë anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë.