E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZOSBE: Komisionerët e 28 qershorit të bëhen të përhershëm

Bosch hedh propozimin për Kodin Zgjedhor. Subashi braktis mbledhjen

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, dhe kreu i KQZ-së, Arben Ristani, hedhin propozimin e parë për reformën zgjedhore: komisionerët e zgjedhjeve të 28 qershorit, të niveleve të dyta, të shërbejnë në të gjitha zgjedhjet që nga dita e sotme, duke i trajnuar dhe paguar nga shteti. Edhe pse dy partitë e mëdha politike janë ende jashtë debatit institucional për këtë çështje, dy entet e sipërpërmendura janë shfaqur gjatë aktivitetit Forumi i Komisionerëve Zgjedhorë, me propozime konkrete që mund të shihen që tani si sugjerime thelbësore për administrimin e procesit të ardhshëm elektoral. Një bazë të dhënash për komisionerët e nivelit të dytë është aktualisht funksionale dhe ajo pritet të shërbejë si pikënisje e krijimit të korpusit të komisionerëve profesionistë. Lidhur me këtë ide, kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Robert Bosch, ka shkuar më tej, duke sugjeruar kufizimin e së drejtës së partive politike për të zëvendësuar arbitrarisht dhe pa arsye specifike komisionerët e vet. “është vendimtare që partive politike nuk u duhet lejuar që t’i zëvendësojnë anëtarët e komisioneve të niveleve më të ulëta në mënyrë arbitrare. Zëvendësime të tilla duhet të lejohen vetëm për arsye specifike të parashikuara qartë nga kuadri ligjor. Përveç kësaj, Kodi Zgjedhor duhet të garantojë mekanizma efektivë për plotësimin e vendeve të lira në administratën zgjedhore, në rast se partitë politike nuk ushtrojnë të drejtën e tyre për të bërë emërime brenda afateve të përcaktuara”, ka deklaruar Bosch. I të njëjtës ide ka qenë edhe kreu i KQZ-së, Arben Ristani, i cili në fjalën e vet ka nënvizuar nevojën e kalimit drejt një trupe profesioniste, e cila me trajnimin dhe certifikimin e vet do të lërë pas gjithnjë e më shumë militantizmin në gjykimet e veta. “Kjo bazë të dhënash duhet të vazhdojë të plotësohet dhe të kompletohet. Më pas të vazhdohet me trajnimin dhe certifikimin e komisionerëve. Edhe pse përbërja dhe e drejta për emërimet tuaja u takon forcave politike, të gjithë duhet të udhëhiqen në punën e tyre nga zbatimi me korrektësi i ligjit dhe ndërgjegjja profesionale. Ka ardhur koha që bindjet apo preferencat politike të mbeten totalisht personale dhe të mos ndikojnë në punën e kujtdo”, u shpreh Ristani. Këto dy momente mund të shihen si thelbësore në kontributin e pritshëm të KQZ-së dhe OSBE-ja për reformën e re elektorale, teksa institucionalisht krijimi i Forumit të Komisionerëve me axhendë periodike përbën një masë plotësuese. Diskutimi është kompletuar edhe me sugjerimet e rreth 50 komisionerëve që kanë qenë pjesëmarrës në tryezën e parë të organizuar me këtë qëllim.

Subashi braktis aktivitetin

Normaliteti i aktivitetit të djeshëm është prishur nga reagimi i numrit dy të KQZ-së, Dëshira Subashi, e cila ka marrë fjalën pas Bosch dhe Ristanit. Duke folur për organizimin e aktivitetit në fjalë, ajo është shprehur se “unë si drejtuese e rëndësishme e KQZ-së nuk mund të jem e ftuar këtu, por bashkorganizatore. Nuk jam njoftuar paraprakisht për këtë aktivitet, prandaj dhe kërkoj falje, sepse kam ardhur e papërgatitur. Për mendimin tim është e papranueshme që unë si drejtuesja e dytë e KQZ-së të jem këtu me cilësinë e të ftuarës, prandaj kërkoj ndjesë, por nuk mund të jem më pjesë e kësaj tryeze”. Ajo ka lënë mandej aktivitetin, për t’u larguar, një veprim që ka gjetur solidaritetin e disa prej komisionerëve të majtë që kanë qenë të pranishëm në sallë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i ambasadorit Bosch, i cili ka zhvilluar një bashkëbisedim me Subashin jashtë sallës, ku është “informuar” për arsyet e largimit të saj.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›