E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia e Arteve, kuotat për vendasit dhe trojet

Malaj: Propozuam numrin e pranimeve dhe datat e provimit, veç Maturës Shtetërore edhe konkurs për artistët e rinj

Kandidatët për studentë që janë talente në fushën e muzikës, artit figurativ apo atij skenik, përveç provimeve të Maturës Shtetërore, duhet të kalojnë edhe fazën e konkursit. “Procedurat që do të ndiqen në konkursin e këtij viti në Akademinë e Arteve do të jenë të ngjashme me ato të viteve të kaluara. Shpresojmë vetëm që mbarëvajtja e procesit të konkurrimit të jetë po aq e suksesshme sa ajo e përvojave të tjera”, tha rektori i Akademisë së Arteve, Petrit Malaj. Sipas tij, janë plot 270 kuota, nga të cilat 35 prej tyre janë parashikuar për nxënësit që do të vijnë nga trojet, si: Presheva, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova.

Nga 235 kuotat e mbetura do të bëhet një shpërndarje në bazë të fakulteteve, të cilat janë të përfshira në Akademinë e Arteve të Bukura. Fakulteti i Muzikës ka propozuar 107 kuota, dega e Artit Figurativ do të pranojë 67 kandidat, ndërsa Arti Skenik vetëm 61 konkurrentë. Konkursi për të gjithë maturantët e interesuar do të zhvillohet në datat 2-10 shtator. “Menduam që për këtë vit të shtyhej konkursi në mënyrë që maturantët të kenë kohë të përgatiten dhe njëkohësisht të pushojnë, duke qenë se janë ende duke u testuar për provimet e Maturës Shtetërore”, pohoi rektori. Ai sqaroi për të gjithë nxënësit, që nëse preferojnë të jenë pjesë e Akademisë së Arteve, nuk janë të detyruar të marrin pjesë në provimet me zgjedhje. Akademia e Arteve ka përvojë disavjeçare për sa i përket punës përgatitore që ka zhvilluar në shkollat e mesme të përgjithshme, por sidomos edhe tek ato profesionale. Një grup specialistësh të përzgjedhur nga ky institucion ka “trokitur” në dyert e klasave të maturantëve duke i dhënë atyre informacion rreth programeve mësimore, por edhe artistike, që zhvillohen në Akademinë e Arteve. Sipas rektorit të Akademisë së Arteve, vërehet diferencë preferencash ndërmjet shkollave të mesme dhe atyre profesionale. Gjimnazet e përgjithshme, sipas Malajt, synojnë më shumë Fakultetin e Artit Skenik, ku përfshihet Skenografia, Koreografia dhe Aktrimi. Ndërsa në shkollat profesionale evidentohet një prirje drejt Fakultetit të Artit Figurativ, i cili përbëhet nga dega e Pikturës dhe Skulpturës, si dhe fakultetit të Muzikës, ku bën pjesë kompozicioni, kantoja, violina. Të interesuarit për t’u pranuar në Akademi do të kenë një kusht, pjesëmarrjen në konkurs. Pikët e parashikuara në total janë 300, nga të cilat 80 pikë do të fitohen nga prezantimi i subjektit të kërkuar sipas fushës që synon, ndërsa 20 prej tyre do të akumulohen nga notat e provimeve të Maturës Shtetërore. Konkursi, sipas Malajt, është parashikuar të zgjasë rreth një javë. Ai do të zhvillohet në data të caktuara për degë të ndryshme, ku Piktura dhe Skenografia do të kenë në dispozicion 4-5 ditë, ndërsa Muzika maksimumi 3-4 ditë. “Datat dhe kohëzgjatja e ditëve të konkursit për degë specifike do të përcaktohet në bazë të numrit të kandidatëve. Ajo që vlen të theksohet është se nuk do të konkurrojnë më shumë se 15 nxënës në ditë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›