E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZSH vendos për rinumërim të votave në Lezhë dhe Shkodër

Një ditë pasi kryeministri Sali Berisha deklaroi se koalicionit të djathtë i janë vjedhur vota në zgjedhjet e 23 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për të çuar në rinumërim të gjitha kutitë e qarkut të Lezhës. I njëjti vendim u mor më pas edhe për qarkun Shkodër.

“Ajo që pamë ishte një manipulim i tmerrshëm. Propozoj rinumërim të gjithë qarkut”, deklaroi anëtari i KQZ-së, Klement Zguri.

Si raporton Top-Channel, propozimi i anëtarit më të vjetër në KQZ u mbështet me të njëjtat argumente edhe nga kolegët e tij, por u kundërshtua ashpër nga përfaqësuesit ligjorë të së majtës.

“Po dilni mbi çdo ligj dhe çdo precedenti. Do mbani përgjegjësi penale, kijeni mirë parasysh këtë”, deklaroi përfaqësuesi ligjor i LSI, Ilirian Muho.

Të gjendur përpara këtij vendimi befasues të KQZ-së, që nuk përbën objektin e kërkesës ankimore të asnjë pale, por të iniciuar nga vetë anëtarët e këtij institucioni, për të majtët ngre hije të forta dyshimi.

Kutitë e votave që kanë ndenjur më shumë se dy javë në magazinat e Lundrës, nisur nga precedenti i 2011-s për Tiranën, të cilat sipas tyre u mbushën në këto magazina duke prodhuar një rezultat të manipuluar në bashkinë e kryeqytetit, po i nënshtrohen të njëjtit skenar.

“Kjo dëshmon qartë që përsëri Komisioni është vendosur në pozitat e paligjshme të ndryshimit të numrave dhe bërjes pis të procesit zgjedhor. Është thjesht një rrekje për të gjetur një argument juridik. Qëndrimi ynë mbetet që KQZ po vazhdon të përdoret politikisht, është duke administruar grahmat e fundit të pushtetit në ikje, kërkon të bëjë pis procesin zgjedhor, kërkon të përsërisë ngjarjen e 2011, kërkon të cenojë integritetin e kutive për t'i treguar shqiptarëve që rezultati ka qenë i manipuluar, siç janë edhe zërat e politikës në këto ditë”, tha përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj.

Me një vendim po aq të papritur, katër anëtarët e KQZ-së çuan në rinumërim të votave edhe qarkun Shkodër, ku kishte një kërkesë ankimore të Partisë Republikane, por që kontestonte vetëm disa kuti.

Ky vendim shpjegon edhe faktin se përse KQZ prej ditësh shtynte vendimin për Shkodrën, pavarësisht se në rend kohor ky qark është ankimuar përpara Lezhës.

Në rastin e Shkodrës, KQZ vendosi të pranojë si prova pamjet filmike të numërimit të votave atje, të njëjtën provë që ia kishte rrëzuar vetëm pak ditë më parë LSI-së në ankimimin për Kukësin, me argumentin se filmimet nuk përbëjnë provë për institucionin më të lartë të zgjedhjeve.

“Çfarë ndodhi që i morët pamjet filmike për PR dhe neve na i rrëzuat për Kukësin”, protestoi përfaqësuesi i LSI, Muho.

“Lezha ishte provë e manipulimit nga grupet e numërimit”, u përgjigj kryetarja Lefteri Lleshi.

“Kemi informacione se po ndërhyni në Lundër. Ju paralajmëroj edhe një herë, mos prekni kutitë”, replikoi sërish Muho.

KQZ do të nisë me rinumërimin e 248 kutive të qarkut të Lezhës ditën e shtunë. Do të jenë 8 grupe pranë këtij institucioni që do të rinumërojnë votat e Lezhës dhe Shkodrës, duke përbërë në këtë mënyrë edhe precedentin e parë të rinumërimit në KQZ të të gjitha votave të qarkut.

Megjithë kërkesën e vazhdueshme dhe këmbëngulëse të Partisë Socialiste në vitin 2009, për rinumërim të disa qarqeve, KQZ në atë kohë nuk pranoi të hapte asnjë kuti votimi./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›