Protestat kundër KEK-ut i organizuan “nipër të Serbisë”

Më gjithë debatet dhe paqartësitë e deputetëve, është miratuar me shumicë votash raporti përfundimtar i Komisionit hetimor parlamentar për faturimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për muajin janar 2013.
Kryetari i Komisionit hetimor, Muhamet Mustafa ka thënë se komisioni në raportin përfundimtar ka bërë të ditur se ankesat e qytetarëve për muajin janar të këtij viti janë pothuajse të përafërta me janarin e vitit të kaluar. Ndërkaq, ministri Besim Beqaj ka thënë se ky komision ka dëshmuar që nuk ka pasur shkelje ligjore. Si raporton KTV-ja, deputeti i PDK-së, Ramiz Lladrovci ata që i kanë organizuar protestat kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike i ka quajtur “djem të UDB-së dhe nipër të Serbisë”.
Në mungesë kuorumi nuk është shqyrtuar pika e fundit e rendit të ditës për seancën plenare të së premtes, ku pritej të debatohet lidhur me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, rolin e EULEX-it, Qeverisë së Kosovës dhe periudhës së tranzicionit, sipas kërkesës së deputetit Kurtan Kajtazi, mbështetur nga deputetët nënshkrues./Indeksonline/