Kërkohet dalja e serbëve në zgjedhje, kërcënohen me Avni Kastratin

Bojkoti i zgjedhjeve në Kosovë do të ishte tregues se nuk jemi pjekur politikisht, deklaroi sonte drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Aleksandar Vullin, dhe theksoi se shqiptarët na kanë mësuar që populli unik mund të arrijë gjithçka.
Duke folur në ditarin televiziv të RTS, ai tha se nëse serbët nuk dalin në zgjedhje, do të mund të ndodhte që kreu i Mitrovicës së jugut, Avni Kastrati të bëhet kryetar i tërë Mitrovicës.
“Dhe pastaj bota do ta fusë Kastratin me tanke në pjesën veriore të Mitrovicës, sepse do të thonë se ai është zgjedhur në mënyrë legjitime”, tha ai.
Duke i vlerësuar serbët në veri të Kosovës si qytetarët më lokalë të Serbisë, ai shtoi: “E di që do të dalin në zgjedhje, e di që populli serb (i Kosovës) do të jetë me shtetin e vet”. Sipas tij, është me rëndësi të mos ketë opozitë e pushtet, trasmeton Rel.
“Lista unike është zgjidhje nëse duam ta krijojmë bashkësinë unike të komunave serbe me të cilën do të qeverisin serbët”. Ai po ashtu shtoi se zgjedhjet do të bëhen sipas listës zgjedhore të Beogradit, e cila do t’i dërgohet OSBE-së dhe se do të votohet me dokumente serbe dhe me shtetësi serbe.
“Do të insistojmë në neutralitet statusor, askush nuk do të detyrohet ta njohë shtetin e Kosovës, as të marrë nënshtetësinë e tij”, porositi Vullin. /Indeksonline/