E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongresi amerikan përshëndet vendimin e Azerbajxhanit për TAP-in

Kongresi amerikan e vlerëson vendimin historik të konsorciumit Shah Deniz për të përzgjedhur projektin Trans Adriatic Pipeline (TAP), për transportimin e gazit nga deti Kaspik drejt Europës.

Pas një seancë të posaçme mbi këtë projekt, Kongresi deklaron se ky vendim tregon angazhimin e Azerbajxhanit ndaj politikës së tij për pavarësi energjetike dhe se është një partner i besueshëm. Takimi “Korridori i gazit jugor dhe roli i tij në sigurinë energjetike të Europës”, që u organizua me iniciativën e përbashkët të ambasadave të Azerbajxhanit, Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë në SHBA, mblodhi së bashku ambasadorët e vendeve pjesëmarrëse, zyrtarë të lartë amerikanë, anëtarë të Kongresit dhe të Departamentit Amerikan të Shtetit, por edhe analistë dhe përfaqësues të medias, raporton Balkanweb.

Moderatori i takimit, ambasadori i Azerbajxhanit në SHBA, Elin Suleimanov tha se zbatimi i këtij projekti do të shërbejë për krijimin e realiteteve të reja gjeopolitike, si dhe përmirësimin e mirëqenies ekonomike dhe sociale të vendeve pjesëmarrëse.

Përfaqësuesit e tri ambasadave shprehën mbështetjen e tyre të plotë për projektin e Korridorit të Gazit Jugor.

Ambasadori shqiptar, Gilbert Galanxhi tha se vendimi strategjik mbi projektin TAP është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shumë premtues. Aambasadori grek në SHBA, Christos Panagopoulos tha se Azerbajxhani është aleati më i besueshëm në Europë sa i përket sektorit energjetik.

Nga ana tjetër Lorenzo Galanti, këshilltar për çështje ekonomike në ambasadën italiane në Washington, tha se falë këtij projekti Italia do të ketë pozitën e një qendre energjetike. TAP do të sjellë fillimisht 10 miliardë metra kub gaz në vit nga Azerbajxhani drejt Greqisë e Shqipërisë për të kaluar më pas në Itali. Furnizimi i parë me gaz pritet të bëhet në vitin 2019./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›