Loren Blank: Gjërat sa vijnë e vështirësohen
Trajneri i Francës: Na pret një punë e vështirë ndaj Suedisë. Fitorja e parë ishte objektivi kryesor që kishim. Tani duhet të shohim përpara.
Fitorja 2-0 kundër Ukrainës i dha Francës fitoren e parë pas gjashtë vitesh në një turne të madh, prandaj lojtarëve francezë mund tu falet që janë shumë euforikë përpara ndeshjes së fundit në grup kundër Suedisë.
Por trajneri Lorent Blank nuk po sheh më larg sesa kjo ndeshje dhe ka shmangur çdo deklaratë në lidhje me vendin e parë apo të dytë në Grupin D, për të shmangur përplasjen e mundshme me Spanjën kampione në çerekfinale. “Piva një birrë të ftohtë pas ndeshjes, ka thënë Blank.
“Nuk duhet të na ikin gjërat kryesore nga vëmendja jonë. Tashmë kemi arritur një objektiv tonin në këtë turne, që ishte të fitonim një ndeshje, por gjërat tani do të vështirësohen.’ Francës i duhet vetëm një barazim kundër Suedisë nesër për të shkuar në çerekfinale të turneut për herë të parë që prej Kupës së Botës 2006.
Blank nuk ka ndër mend ta marrë lehtë ndeshjen kundër Suedisë, edhe pse skandinavët janë të eliminuar nga Euro 2012 sepse i kanë humbur të dyja ndeshjet. “Jemi duke u përgatitur me shumë seriozitet dhe kemi respektin më të madh për kundërshtarët.
Kundër Suedisë nuk ka ndeshje të lehta sepse janë një ekip i fortë fizikisht, ka thënë Blank. “Ne do të ishim përgatitur në të njëjtën mënyrë edhe sikur Suedia të kishte barazuar apo fituar. Ne do të luajmë për fitore, nuk do të mendojmë tia lehtësojmë gjërat vetes.”
Fitorja e së premtes, një ndeshje që u shty nga stuhia, ishte e para për Francën që prej gjysmëfinales së Kupës së Botës 2006 kundër Portugalisë. Mënyra se si luajti Franca, sidomos gjatë pjesës së dytë, kur shënoi edhe dy golat, ka konfirmuar se skuadra e Blankut mund të jetë një kundërshtare shumë e vështirë në Euro 2012.
“Nuk e di nëse është ndeshja jonë më e mirë, por nuk është rastësi që nuk jemi mposhtur në 23 ndeshjet e fundit, është shprehur Blank. Kjo gjë na jep më shumë besim në lojën tonë. Franca dhe Anglia kanë nga katër pikë, por Franca është favorite për të fituar grupin sepse ka golavarazh më të mirë.
Vendi i parë në grup rrit shanset e shmangies së përballjes me Spanjën kampione. Nëse Spanja zë vendin e parë në Grupin C, do të përballet me skuadrën e vendit të dytë në Grupin D. Nuk mund të bëjmë llogari, ka thënë Blank, ndonëse mesfushori Jan M’Vila ka pohuar se lojtarët janë duke bërë llogaritë e tyre.
Lojtarët e kanë në mendje këtë gjë, por në fakt nuk duhet të shqetësohemi nga kjo. A luajmë apo jo kundër Spanjës, prapë do të na duhet të luajmë kundër një skuadre. Fitorja kundër Ukrainës mund të jetë pika e kthesës për ne në këtë kompeticion. Shpresoj të kemi frikësuar disa skuadra.
Edhe nëse Franca do të luajë kundër Spanjës, mbrojtësi i majtë Gael Klishi mendon se lojtarët nuk do të jenë nën presion. Pa dashur të tregohem arrogant ose mendjemadh, ne kemi treguar se kemi cilësitë tona dhe mund të luajmë kundër çdo skuadre, pasi e kemi dëshmuar këtë në 20 ndeshjet e fundit.
Kroacia dhe Italia nuk janë skuadra më të vogla, ka thënë Klishi, i cili pret që Suedia të jetë e motivuar për të marrë pikë sepse do të luajnë për krenari pas humbjeve kundër Ukrainës dhe Anglisë. Ata nuk janë nën presion sepse janë eliminuar tani. Është më e lehtë kur luan pa frena, kështu që duhet të kemi kujdes prej tyre.
Nëse fitojmë me lojë të bukur, do të ishte shumë mirë, por objektivi është të kualifikohemi. Blank ka probleme në përzgjedhjen e formacionit për ndeshjen kundër Suedisë, por janë probleme të mirëseardhura.
Ndryshimet që bëri në ndeshjen kundër Ukrainës ishin të justifikuara, pasi Klishi shkëlqeu në një rol me tipare sulmuese në vend të ish-kapitenit Patrise Evra dhe Zheremi Menez i dha skuadrës shpejtësi dhe lëvizshmëri më të madhe me depërtimet e tij në krahun e djathtë.
Menez humbi dy raste për gol, por më pas shënoi golin e parë të ndeshjes. Zheremi duket se po gjen ritmin e tij, por ka luajtur vetëm 14 ndeshje për Francën, ka thënë Blank. Lojtarët e talentuar janë të mërzitshëm veçanërisht kur humbin rastet për gol. Të tjerët nuk të mërzisin ndonëse nuk kanë talent.
Blank është i përgatitur të bëjë ndryshime të tjera, duke nënvizuar faktin se në skuadrën e Francës është shtuar konkurrenca për një vend titullari. Nëse mendoj se ka lojtarë që mund të sjellin diçka për skuadrën kundër Suedisë, do të bëj të njëjtën gjë dhe do ti fus në lojë. Këtë gjë lojtarët duhet ta kuptojnë.
Kolektivi është më i rëndësishëm se gjithçka. Mesfushori Johan Kabeje, autori i golit të dytë kundër Ukrainës, ka ndier dhembje në kofshë në pjesën e dytë dhe u zëvendësua nga M’Vila.
Nuk jam i shqetësuar, por duhet të kemi kujdes me problemet fizike. Johani është lojtar inteligjent dhe e di se nuk duhet ti kalojë kufijtë, ka përfunduar Blank.