E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, deputeti më i paguar i kuvendit

Monika Kryemadhi merr më shumë se 20 mijë euro overdraft dhe blen apartament banimi në qytetin e Durrësit


TIRANË- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, dhe bashkëshortja e tij këtë vit kanë investuar në blerjen e një apartamenti banimi në Durrës, vlera e të cilit është 22 mijë dollarë dhe në një truall mbi të cilin shumë shpejt do të ndërtohet. Këto janë dy lëvizjet kryesore të çiftit që themeloi LSI-në si një fraksion i PS-së dhe sot janë forca që po mban kryeministrin Berisha në pushtet.

Në deklaratën e tyre zyrtare është shënuar se çifti Meta-Kryemadhi zotërojnë vetëm tre llogari bankare. Në dy të parat, të cilat janë në emër të Ilir Metës janë shtuar 43.256 mijë lekë të reja dhe 4.807 dollarë amerikanë. Ndërsa në atë që është në emër të Monika Kryemadhit janë shtuar 40 mijë lekë të reja. "Të ardhurat e mia janë paga e shpërblime nga Kuvendi i Shqipërisë në shumën 2.777.566 lekë. Të ardhurat e bashkëshortes janë 659.565 lekë si ish-deputete në Kuvendin e Shqipërisë dhe 378.789 lekë si anëtare e këshillit bashkiak Tiranë",- shkruhet në deklaratën e pasurisë që është dorëzuar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Sipas kësaj deklarate zyrtare, Ilir Meta fiton rreth 1.2 milionë lekë më shumë se sa ministri i Jashtëm Lulzim Basha; fiton 600 mijë lekë më shumë se sa kryeministri Berisha dhe rreth 1.3 milionë lekë më shumë se çdo deputet tjetër. Këto shifra e kthejnë Ilir Metën në deputetin më të paguar të merkatos parlamentare shqiptare.
Monika Kryemadhi ka shënuar në deklarimin e saj se ka marrë një "overdraft" në shumën 20.321 euro por që e ka shlyer sërish brenda vitit. Kjo është disi e dyshimtë pasi paga e Kryemadhit është rreth 33 mijë lekë në muaj. Duke i shtuar kësaj edhe pagën e nëntë muajve si ish-deputete (659.565) ajo arrin shumën 1.038.354. Por bankat japin "overdraft" deri në tre paga mujore, pra jo më shumë se 20 mijë euro me një pagë të tillë.

Një tjetër lëvizje financiare e Monika Kryemadhit është një kontratë sipërmarrje. "Kontratë sipërmarrjeje mbi truallin e deklaruar më parë prapa doganës së Tiranës për firmën XXX, nga e cila përfitoi 35 për qind të sipërfaqes së ndërtimit",- shkruan në deklarimin e saj zonja Kryemadhi.

Tabelat zyrtare tregojnë se çifti Meta-Kryemadhi nuk kanë kryer asnjë veprim tjetër financiar. Ata kanë kursyer rreth 800 mijë lekë dhe 4.807 dollarë dhe kanë shpenzuar të gjithë pjesën tjetër të parave.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›