E Shtunë, 31 Tetor 2026

Granata mes inerteve vret punëtorin

Ramadan Xhafa, 21 vjeç, mbeti i vdekur dje në mesditë pas shpërthimit të një granate të gjetur në një grumbull inertesh

I riu kishte rreth dhjetë ditë që punonte në një vilë në rikonstruksion pranë kompleksit sportiv "Dinamo"

TIRANË- Një punëtor ndërtimi mbeti i vdekur dje në mesditë, pas shpërthimit të një granate në duart e tij e cila kishte mbërritur me një gurmbull inertesh që do të përdoreshin në mbushjen e një grope në objektin ku po punonte i dëmtuari. Ramadan Xhafa, 21 vjeç, me banim në Tiranë pranë Bregut të Lumit, ka qenë duke punuar me një grup punëtorësh të tjerë për rikonstruktimin e një ndërtesë në lagjen Komuna e Parisit, në Tiranë, pranë kompleksit sportiv "Dinamo", kur ka gjetur granatën në një grumbull inertesh të mbërritur aty nga një mjet që kishte shkarkuar , me qëllim mbushjen e një sipërfaqeje që po rikonstruktohej.

Sipas burimeve të policisë dhe dëshmitarëve, i dëmtuari ka kapur granatën me bisht druri, që dyshohet se i përkiste periudhës së Luftës së Dytë Botërore, është kapur dhe tërhequr nga Xhafa. Pikërisht në këtë moment, granata është aktivizuar duke i sjellë dëmtime të rënda në krahë të riut. Xhafa është dërguar me urgjencë në spitalin ushtarak, ku pas gati një orë e gjysmë përpjekje të mjekëve për t'i shpëtuar jetën ai nuk mundi t'ia dilte.

Aksidenti

Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 11:30, në kohën kur i riu po punonte në oborrin e ndërtesës që i përkiste një qendre të gjuhëve të huaja, e cila ishte në rikonstruksion dhe për të kompletuar punimet kërkoheshin edhe materiale për mbushje inerte. Këto të fundit janë marrë nëpërmjet një motokarroje e cila i ka dërguar në vendin e ngjarjes sipas porosisë. Mes materialeve ka qenë edhe granata e hedhur kush e di se si, e cila shpërtheu në dorën e të riut. Nga shpërthimi është dëmtuar vetëm 21 vjeçari Xhafa i cili vdiq në spital, pas shpërthimit të granatës. Ndërkohë mësohet se nuk ka të tjerë të plagosur nga shpërthimi. Në vendin ku ndodhi incidenti, kanë mbërritur efektivat e Komisariatit të Policisë nr. 2 të cilët kanë kryer të gjitha veprimet hetimore.

Ndërkohë mësohet se policia ka marrë në pyetje personat që në ato momente kanë qenë brenda ndërtesës. Ramadan Xhafaj, kishte dhjetë ditë që punonte për rikostruksionion e ndërtesës tri katëshe, bashkë me disa punëtorë të tjerë, ndërtesë kjo që shërbente si qendër për mësimin e gjuhëve të huaja. Ndihma e parë 21- vjeçarit i është dhënë nga personat e tjera që kanë qenë brenda ndërtesës, ndërsa sapo ka mbërritur në Spitalin Ushtarak ka ndërruar jetë.

"Dëgjova një shpërthim të fortë dhe dal jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Në ato momente pashë që punëtori po transportohej për në spital, ndërsa në krah i rridhte gjak",- tregon njëri dëshmitar pranë vendit të ngjarjes, pronar i njërit prej lokaleve në zonë. Policia e kryeqytetit ka administruar në vendin ku ndodhi shpërthimi prova të ndryshme, ndërsa ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e shpërthimit dhe nëse granata është sjellë rastësisht me makinën e inerteve apo ka qenë aty. Ndërkohë policia ka marrë në pyetje, përveç dëshmitarëve të ngjarjes, edhe pronarët e ndërtesës ku i riu po kryente punime, për të zbardhur origjinën e mundshme të granatës së ardhur nëpërmjet inerteve.


 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›