E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i tij janë përparësi absolute

Kryeministri Berisha kërkoi nga ministri i Mjedisit z. Lufter Xhuveli që të bëhet sa më shpejt një studimi për efektin kumulativ që shkaktojnë fabrikat e çimentove në mjedis

Në mbledhjen e sotme të KRRTRSH-së, Kryeministri Berisha kërkoi nga ministri i Mjedisit z. Lufter Xhuveli që të bëhet një studimi për efektin kumulativ që shkaktojnë fabrikat e çimentove në mjedis. Duke e cilësuar këtë studim si tepër të rëndësishëm, Kryeministri kërkoi që brenda kësaj jave të merren të gjitha masat për shpalljen e tenderit për të kontraktuar një nga kompanitë më të mira, e cila do të bëjë studimin kumulativ në një kohë sa më të shkurtër.

“Zoti ministër i Mjedisit, Lufter Xhuveli, në një mbledhje të është kërkuar dhe sërish të kërkoj që të bëhet studimi i efektit kumulativ të fabrikave të çimentove mbi mjedisin. Ky studim është i domosdoshëm, sepse mjedisi duhet të mbrohet dhe të zhvillohet si përparësi madhore e jona. Individë apo grupe të caktuara kanë shprehur shqetësim për ndërtimin e tyre dhe përgjigja jonë më e mirë është studimi i efektit kumulativ të këtyre çementerive. Mbi këtë bazë ne marrim të gjitha vendimet. Për ne mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi i tij janë përparësi absolute. Ndaj dhe mundësisht brenda kësaj jave të merren të gjitha masat për të shpallur tenderin dhe për të kontraktuar një nga kompanitë më të mira për të bërë studimin kumulativ në një kohë sa më të shkurtër”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më tej, Kryeministri u shpreh se në mbledhjen e ardhshme do të diskutohet për miratimin e lejeve të ndërtimit të katër fabrikave të prodhimit të çimentos. “Ne do i miratojmë ato, por vendimi do të zbardhet vetëm pasi të kemi në dorë studimin serioz mbi efektin e tyre. Kam bindjen më të madhe se adaptimi i teknologjive moderne dhe marrja e të gjitha masave për zvogëlimin e ndotjes i bën ato plotësisht të mundshme. Ne do të bëjmë studimin dhe atë do t’a bëjmë transparent për publikun dhe për grupet e interesit, të cilat dhe ato vetë mund të përfshihen në këtë proces. Çdo vonesë në këto investime ka një çmim për ekonominë shqiptare, ka një çmim për punësimin dhe duhet ta zvogëlojmë sa më shumë në kohë studimin për efektin e tyre”, u shpreh Kryeministri Berisha.


14/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›