Kryeministri Berisha përuron rikonstruksionin e plotë të spitalit të Krujës
Gjatë një vizite sot në Krujë, Kryeministri Berisha përuroi rikonstruksionin e spitalit të qytetit, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 120milion lekë.
Duke i uruar ekipit mjekësor dhe personelit të tij për mjediset e reja bashkëkohore që ofron spitali i ri, Kryeministri tha se së shpejti ky spital do të pajiset edhe me aparaturat më moderne mjekësore dhe Kruja do të ketë një ndër spitalet moderne në vend.
Kryeministri i shprehu ekipit mjekësor vlerësimet për përkushtimin dhe devotshmërinë në shërbim të qytetarëve të Krujës.
“Spitali, - tha Kryeministri - ka epik të talentuar dhe të përkushtuar, që u shërbejnë me devocion të madh qytetarëve. Kruja ka mjekë shumë të zot e me zë, të cilët, pavarësisht nga distanca e afërt me Tiranën, kanë ditur të krijojnë besimin e qytetarëve krutanë.”
Më pas, Kryeministri vizitoi ambientet e spitalit dhe u takua me pacientë, të cilët i siguroi se qeveria ka prioritet të saj përmirësimin e kushteve në spitalet në vend dhe të cilësisë së shërbimet ndaj tyre.
Spitali i Krujës, me kapacitet prej 84 shtretërish, ofron të gjitha shërbimet nga sallat e operacionit, repartet e sëmundjeve patologjike, infektivit, pediatrisë dhe urgjencës.