E Shtunë, 31 Tetor 2026

KS e OKB-së diskuton situatën në veri të Kosovës

NEW YORK - Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskuton raportin tremujor të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën. 

Në mbledhjen e KS-së merr pjesë edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, homologu i tij serb Vuk Jeremiç dhe shefi i UNMIK-ut Farid Zafir. 

UNMIK: Duhet të shmanget përdorimi i dhunës
Shefi i UNMIK-ut deklaroi se situata në veri të Kosovës është shqetësuese dhe u bëri thirrje palëve të vetëpërmbahen.

“Palët duhet të gjejnë mënyra për të komunikuar në mënyrë që të shmangin përdorimin e dhunës. Duhet të ketë përpjekje nga politika për veriun e Kosovës dhe të luftohet krimi ndëretnik”- theksoi Zafir. 

Jeremiç: Të nxirren mësime nga incidentet në veri
Kryediplomati serb Vuk Jeremiç e cilësoi të papranueshme mbështetjen e KFOR-it dhe EULEX-it gjatë operacionit të policisë së Kosovës për vendosjen e kontrollit në pikat kufitarë të veriut, në 16 shtator.

Sipas Jeremiç, serbët e Kosovës reaguan ndaj veprimit të dhunshëm të forcave ROSU, duke ngritur barrikada në rrugë.
“Veprimet e njëanshme janë të papranueshme. Duhet të nxirren mësime nga incidentet në veri.”- deklaroi Jeremiç.

Ministri Hoxhaj pritet të raportojë për arritjet e Kosovës gjatë tre muajve që trajton raporti, ku pritet të nënvizojë nevojën e shtrirjes së sundimit të ligjit në gjithë territorin e vendit.

Raporti i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon flet për situatën shqetësuese në veri të Kosovës dhe nevojën e gjetjes së zgjidhjeve me bisedime. 
(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›