E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët plagosin 30 ushtarë të KFOR-it, Rexhepi: T'i kundërpërgjigjemi dhunës

MITROVICË- Sërish përleshje mes serbëve në veri e forcave të KFOR-it. Mediat kosovare raportojnë se sot rreth orës 17:00 protestuesit serbë në Jagnjenicë kanë përdorur gaz lotsjellës kundër ushtarëve të KFOR-it.

Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësi i KFOR-it, Frenk Martin, i cili sqaron se “Protestuesit janë përpjekur të ngrenë një rrugë alternative. Ata zbrazën dy kamionë me zhavorr e dhe, duke përdorur edhe gaz lotsjellës kundër trupave të KFOR-it. Për t'u vetëmbrojtur, ushtarët e KFOR-it përdorën po ashtu gaz lotsjellës. Situata nuk është më e qetë”, tha ai për REL.

Ky incident pason përplasjen e djeshme të serbëve më ushtarët e KFOR-it, ku mbeten të plagosur 30 ushtarë të misionit paqeruajtës.

Rexhepi: Të kundërpërgjigjemi
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi flet për situatën në veri . Sipas tij, KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës duhet të kundërpërgjigjen me forcë, ndaj protestuesve, transmeton Zëri.
“Ndoshta vetëpërmbajtja maksimale e ushtarëve te KFOR-it EULEX-it dhe Policisë, atyre ju ka dhënë pak më tepër atë ndjenjën se mund të bëjnë çka të dojnë, po unë edhe disa herë e kam përmend që KFOR-i, EULEX-i edhe Policia e Kosovës duhet ta përdorin forcën proporcionale varësisht nga situata, po nëse dikush është shumë i dhunshëm dhe rrezikon jetën e ushtarëve të KFOR-it do të përdorim gjuhën e njëjtë ose përgjigjen e njëjtë”, ka thënë Rexhepi, raporton RTK .
Rexhepi thotë se pavarësisht rezistencës së grupeve serbe, në veri të vendit do të vendoset rendi dhe ligji. “KFOR-i, EULEX-i edhe Policia duhet të ndërmarrin masa të përbashkëta që përkundër rezistencës, të mundësohet lëvizja e lirë e qytetarëve”, tha ai.

KFOR paralajmëron masa proporcionale
Dhuna e serbëve ndaj ushtarëve të KFOR-it, e një ditë më parë në Jagnjenicë, ka sjellë në Kosovë komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli, admirali Samuel Loklir.
Admirali Loklir përçoi mesazhin se dhuna është e papranueshme dhe se KFOR-i rezervon të drejtën për të mbrotjru me të gjitha masat ushtarët e vet.

“Gjatë operacionit, armë të vogla zjarri dhe mjete shpërthyese të improvizuara janë përdorur kundër ushtarëve të KFOR-it nga elemente kriminale, të cilat kanë luajtur rolin e demonstruesve legjitimë. Si rezultat i kësaj, ushtarët janë lënduar”, tha Loklir.

Admirali Loklir kërkoi përmbajtje nga palët, ndërsa nënvizoi se zgjidhja për veriun, tashmë të bllokuar nga barrikadat, duhet të gjendet në dialogun politik.
“Më lejoni të them se zgjidhja për veriun duhet të gjendet përmes dialogut politik. Ajo që NATO-ja dhe forcat e KFOR-i mund të bëjnë, është që të përpiqen të ofrojnë një ambient paqësor, për të mundësuar një dialog të suksesshëm”, tha admirali Loklir në një konferencë për gazetarë të mbajtur në Aeroportin e Prishtinës.

Autoritetet dënojnë dhunën
Dhuna u dënua gjerësisht nga autoritetet vendase e ndërkombëtare në Kosovë. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga nëpërmjet një komunikate ka theksuar se barrikadat janë të vendosura nga strukturat kriminale dhe nga grupet politike radikale të qytetarëve serbë të Kosovës, të nxitur nga qarqet e caktuara të Republikës së Serbisë. Duke bërë thirrje për vënien para drejtësisë të atyre që sulmuan ushtarët e KFOR-it, presidentja Jahjaga, thekson se akte të tilla të shëmtuara kundër misionit paqeruajtës, si akte dhune kundër paqes dhe qëndrueshmërisë, duhet të ndërpriten, ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve të Serbisë të tërhiqen nga përfshirja dhe përkrahja e strukturave kriminale në tri komunat e veriut të Kosovës.

Qytetarëve të veriut ajo u ka bërë thirrje që të heqin dorë nga barrikadat dhe të angazhohen për pjesëmarrje në institucione dhe në qeverisje duke pasur një autonomi të gjerë të kompetencave, të lirive dhe të drejtave dhe të vendimmarrjes, të garantuara me planin e Martti Ahtisaarit, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës Jakup Krasniqi, ka theksuar se veprimet në veri janë pasqyrim i politikës ndërhyrëse serbe që është kërcënim i drejtëpërdrejtë i tërësisë tokësore dhe sovranitetit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, vlerëson se ngjarjet e djeshme janë sulm kundër sundimit të ligjit, rendit dhe lëvizjes së lire.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç ka kërkuar siç thuhet ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit ndërmjet pjesëtarëve të KFOR-it dhe qytetarëve serbë. Në një komunikatë për shtypin thuhet se KFOR-i dhe EULEX-i me aktet ndërkombëtare, janë të detyruar që me veprimet e tyre të ndihmojë qetësimin e situatës. Ndërkaq, sipas tij, udhëheqësit politikë të serbëve duhet t’i pengojnë ekstremistët, që e vënë në pikëpyetje sigurinë personale të bashkëqytetarëve dhe të dërguarve ndërkombëtarë në Kosovë.

Prej katër muajsh, serbët kanë bllokuar rrugët kryesore në veriun e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në atë zonë.

Dhuna më e re shpërtheu në prag të raundit të ri të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që të mërkurën pritet të vazhdojnë në Bruksel. Këto bisedime ku pritet të diskutohet edhe çështja e vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri, zhvillohen në prag të 9 dhjetorit kur pritet vendimi lidhur me propozimin që Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, kjo është thënë se do të varet nga përmirësimi i marrëdhënieve të saj me Kosovën, që nënkupton në radhë të parë ç’tendosjen e situatës në veriun e Kosovës.

Plagosen 30 ushtare të KFOR-it
Nga sulmet e djeshme bilanci i të plagosurve nga trupat e të forcave paqeruajtëse të KFOR-it ka shkuar në 30 persona. Sipas njoftimit zyrtar të KFOR, efektivët mbetën të plagosur gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Jagnjenicë të Zubin Potokut.

Në nje komunikatën shtypi të lëshuar në orët e vona të mbrëmjes së 28 Nëntorit, thuhej se “dhuna nga protestuesit ende vazhdon”. “Protestuesit nuk mund aspak të cilësohen si demonstrues paqësorë, por si të dhunshëm dhe kriminalë”, thuhej në komunikatën e KFOR.

KFOR-i gjatë përleshjeve me serbët e veriut ka përdorur vetëm gaz lotsjellës, plumba gome dhe topa uji, por, në komunikatën e KFOR u paralajmëruar se nëse ka, “ situata kërcënuese për jetën sikurse kjo, ushtarët e KFOR-it do të përgjigjen me te gjitha mjetet proporcionale”.

Dje në mëngjes, pak pas orës 09:00 KFOR-i mori nën kontroll bllokadën rrugore në Jagnjenicë, në komunën e Zubin Potokut. Largimi i bllokadës rrugore u zhvillua pa incidente. Trupat e KFOR-it vendosën një perimetër sigurie pa interferim të protestuesve. Pas një kohe të shkurtër, demonstruesit u bënë të dhunshëm dhe gjatë veprimeve të tyre agresive pati të shtëna në drejtim të trupave të KFOR-it.

Një zëdhënës i KFOR-it tha se një ushtar është qëlluar me armë zjarri në krah ndërsa një tjetër në këmbë, ndërsa mbi trupat e NATO-s janë hedhur edhe shishe me benzinë.

Përfaqësuesit e serbëve në veri thanë se dhjetëra protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar gjatë përplasjeve, po asnjëri nuk është në rrezik. Ata akuzuan KFOR-in për siç u shprehën ata, veprime të njëanshme. Por, zyrtarë të KFOR-it thanë se operacioni për mënjanimin e barrikadës është në kuadër të mandatit të tyre për vendosjen e lirisë së lëvizjes.

(m.a/d.b/e.m/e.n/BalkanWeb) Lidhje te tjera KS diskuton për veriun e Kosovës, Hoxhaj: Situata, kërcënuese Tadic thirrje KFOR dhe serbëve: Hiqni barrikadat! Serbët sfidojnë KFOR, ngrenë barrikadë të re në Jagnjenicë NATO: Dhuna kundër KFOR-it e papranueshme Gjendja në Veri, Hoxhaj sot në Nju Jork në KS të OKB

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›